VMRO-DPMNE ende nuk po mund të pajtohet me faktin se e ka humbur Komunën e Çashkës. Edhe pse Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka hedhur poshtë pesë ankesat e para të kësaj partie, VMRO po përgatit ankesa të reja për në Gjykatën Administrative, megjithëse të njëjtat ende nuk janë dorëzuar, shkruan gazeta KOHA.
Burime zyrtare nga KSHZ kanë konfirmuar për gazetën KOHA se brenda strukturave të VMRO-së po shqyrtohet mundësia që ankesat të dorëzohen në minutat e fundit të afatit ligjor – sonte para orës 22:00, me qëllim që të bllokohet opozita shqiptare që të mos mund të paraqesë ankesat e veta për komunat ku VMRO fitoi në raundin e parë, siç është rasti me Komunën e Butelit.
Dy ditë më parë, KSHZ hodhi poshtë pesë ankesat e para të VMRO-së dhe LSDM-së lidhur me Komunën e Çashkës, të cilat ishin të drejtuara kundër fitores së Suat Shaqirit – shqiptarit të parë që pritet të udhëheqë këtë komunë.
Sipas vendimit të KSHZ-së, ankesat janë refuzuar për shkak se nuk përmbanin asnjë argument apo dëshmi që të vërtetonte se procesi i votimit ka qenë i kundërligjshëm.
Fitorja e Suat Shaqirit në Çashkë është konsideruar historike, pasi për herë të parë një kandidat shqiptar arrin të marrë besimin e shumicës në këtë komunë me përbërje të përzier etnike. (koha.mk)










