Në moshën 91-vjeçare ka vdekur profesori dhe doajeni i sportit, Arsim Fehmiu.
Familja ka njoftuar se varrimi do të bëhet të mërkurën më 21 qershor në varrezat e qytetit në Prizren në orën 16:30.
Ndërkaq në njoftimin që ka bërë i biri i tij, Agon Fehmiu, thuhet se e pamja do të mbahet në Hotel Sirius dhe do të zgjatë tri ditë.
Arsim Fehmiu ka qenë dekani i dytë i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës derisa ka pasur edhe pozita drejtues përgjatë karrierës së tij.
Biografi:
PROF. ARSIM FEHMIU
Sot në Prishtinë, në moshën 91 vjeçare ka ndërruar jetë Profesor Arsim Fehmiu , doajeni i sportit kosovar .
I lindur në Sarajevë më 03 Qershor 1932, Arsim Fehmiu ishte djali i fundit i mbijetuar i mësuesit dhe patriotit shqiptar Ibrahim Fehmiut.
Shkollën fillore e filloi në Sarajevë dhe e vazhdoi në Shkodër e Prizren ku vazhdoi mësimet në gjimnazin real të Prizrenit. Ndërkohë , shkollën normale e kreu në Gjakovë në vitin 1949 dhe në vitin shkollor 1949/50 përcolli mësimet në Shkollën e mesme të Fizkulturës në Zemun të Beogradit, ku u aftësua edhe si mësues i Fizkulturës. Institutin Shtetëror të Fizkluturës (DIF-in) e regjistroi në vitin shkollor 1952/53 në Beograd dhe e e kreu në vitin 1957.
Nga viti 1961 deri më 1963 specializoi në Shkollën Federative të Trajnerëve – Degën e Futbollit në Beograd, si trajneri i parë shqiptar nga Kosova. Gjithashtu, në vitin 1965, pranë Fakultetit të Kulturës Fizike në Zagreb, fiton titullin e Specialistit të Futbollit për punë me kategori të reja.
Profesor Arsim Fehmiu, si anëtarë i familjes Fehmiu e cila punoi dh3e kontribuoi në edukimin, arsimimin dhe ndritjen e mendjes së kombit shqiptar, ashtu si i thotë edhe emri, punoi në arsimimin e popullit në lëmin e kulturës fizike dhe sportit.
Është një nga tre themeluesit e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë, duke i vënë bazat e katedrës së Futbollit, Basketbollit, Hendbollit e Volejbollit.
Në mesin e shumë angazhimeve, vlen të theksohet se nga vitit 1963 deri më 1966 punoi si trajner futbolli në NK “Rijeka”, anëtare e Ligës së Parë Federative.
Në klubin futbollistik NK “Rijeka”, ku Stojan Osojnak ishte shef i Shtabit profesional, prof. Arsim Fehmiu ishte udhëheqës i shkollës së porsa themeluar të futbollit NK “Rijeka” në Rijekë (regjioni i Istrës ) të Kroacisë.
Në vitin 1965/66 shpallet nënkampion me Juniorët e Rijekës dhe kualifikohet në finalen e Kupës Federative të futbollit.
Si pedagog dhe trajner specialist, punoi edhe si selektor i reprezentacionit të Juniorëve të Jugosllavisë, si bashkëpunëtor shumëvjeçar i trajnerit dhe selektorit të Federatës së Futbollit të Jugosllavisë me renome evropiane e botërore, z. Miljan Miljaniq (ish trajner i Real Madridit).
Pas rënies së regjimit të Rankoviqit, kthehet në Kosovë dhe vazhdon punën si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike (SHLP) dhe emërohet selektor i Juniorëve dhe Seniorëve të Kosovës. Njëherë, profesor Arsim Fehmiu plot 21 vjet ishte selektor i Reprezentaconit Futbollistik të SHLP, Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Universitetit të Prishtinës nga viti 1968 – 1989.
Me ekipin e Universitetit të Prishtinës ka arritur që në mesin e 19 universiteteve të Jugosllavisë të shpallet edhe kampion.
Profesor Arsim Fehmiu ishte mësues i specializuar i shumë sporteve si
Noti (1958), Skiimi (1959), trajner Superior i Futbollit (1963), Trajner i Sporteve: Atletikë, Basketboll, Volejboll, Hendboll (pranë Shkollës Federative të Trajnerëve në Beograd).
Profesor Arsim Fehmiu si profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike – Dega e Edukatës Fizike pranë UP në Prishtinë ka ligjëruar lëndët: Atletikë dhe Lojërat sportive: Futboll, Basketboll, Volejboll dhe Hendboll, Lojërat Elementare dhe Teoria e Kulturës Fizike kurse gjatë fushimeve verore ka udhëheqë notin dhe fushimet dimërore ski alpin (1968-1991).
Prof. Arsim Fehmiu është marrë edhe me kërkime shkencore si bashkëpunëtor i Entit Federativ të Kulturës Fizike të Jugosllavisë në Beograd, Akademisë së Edukatës Fizike në Rijekë-Kroaci dhe Institucionet përkatëse të Kosovës në Prishtinë.
Është marrë me kërkime shkencore të aftësive funksionale e psikofizike të nxënësve të shkollave fillore e të mesme në Kosovë e Kroaci.
Ishte edhe anëtar i ekipit nr. 5 federativ për kërkime shkencore të aftësive funksionale dhe psikofizike të nxënësve të shkollave fillore e të mesme në Kosovë (1961).
Pos punës si mësues, arsimtar dhe profesor i Kulturës Fizike dhe trajner i futbollit, në procesin mësimor e pedagogjik, është marrë edhe me hartimin e planprogrameve mësimore të Edukatës Fizike dhe të Trajningut Sportiv (1996-1992).
Është hartues i Projektit për botimin e teksteve mësimore nga lëmitë e Kulturës Fizike për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës e më gjerë (1972).
Si ekspert i lëmit të Kulturës Fizike është angazhuar dhe ka bashkëpunuar në fushën e kërkimeve shkencore me Institutin Albanologjik dhe Institutin për Kërkime Ekonomike të Institutit Ekonomik të Prishtinës (1970-1990).
Si bashkëpunëtor i Institutit për Kërkime Ekonomike, ishte udhëheqës i Projektit për Zhvillimin e Veprimtarive Shoqërore të Kosovës për Lëmin e Kulturës Fizike (Për infrastrukturën e Edukatës Fizike, Sportit, kuadrit profesional dhe financimit të këtyre veprimtarive).
Projekti ka përfshirë zhvillimin e Kulturës Fizike nga vitit 1975 deri në vitin 1980 dhe periudhën me projeksion të zhvillimit nga viti 1980 deri në vitin 2000.
Pas pensionimit në vitin 1991, Profesor Arsim Fehmiu riaktivizohet më vitin 1992 si anëtar i Këshillit Profesional të Federatës së Sporteve të Kosovës në Prishtinë. Më 1994, emërohet Komisar i Federatës së Futbollit të Kosovës (1994-1997).
Nga viti 2006, emërohet Kryetar i Komisionit Akademik Olimpik të Kosovës pranë Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit “ACOK”, së bashku me Drejtorin e atëhershëm të Departamentit të Sportit të MKRS të Kosovës, prof. Bedri Cahani, dhe me pëlqimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, formohet Këshilli Organizativ për organizimin e punës së Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit shkollor në Kosovë.
Këshilli nën udhëheqjen e Profesorit Arsim Fehmiu, punon afro shtatë muaj për organizimin e Kuvendit i cili mbahet më 30 Mars të vitit 2009, në Prishtinë.
Profesor Arsim Fehmiu, është marr me shumë sporte dhe për veprimtari si sportist, pedagog dhe punëtor sportiv është bartës i shumë shpërblimeve, plaketave, mirënjohjeve dhe dekoratave.
BIOGRAFIA
PROF. ARSIM IBRAHIM FEHMIU
FUNKSIONET NË ARSIM:
Kosovë
Nëntor 1950 – Fror 1951, Drejtor dhe Arsimtar i parë i Progjimnazit, themelues – Kievë – rrethi i Rahovecit
Shtator 1968-1970, Shef i Degës së Edukatës Fizike e Shëndetësore pranë SHLP-së në Prishtinë;
Tetor 1977-1979, Zëvendës Drejtor i SHLP-së të UP në Prishtinë;
Tetor 1981-1983, Dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike të UP në Prishtinë;
2. Funksionet në Sport:
Rijekë – Kroaci
Nëntor 1963 – Qershor 1966, Sekretar i Shoqatës së Trajnerëve të Lidhjes Futbollistike në Rijekë.
Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Sportit Shkollor,
Anëtar i Këshillit Profesional të Qendrës për Aftësimin e Kuadrit Profesional të Sporteve në Rijekë – Kroaci,
Shtator 1966 – Shtator 1968, anëtar i Kryesisë së SHPKF të Kosovës në Prishtinë;
Tetor 1968 – 1970, Kryetar i SHPKF të Prishtinës në Prishtinë,
Nga viti 1968-1972, përfaqësues i Kosovës në Këshillin Profesional të Komitetit Olimpik të ish-Jugosllavisë në Beograd;
Nga viti 1968-1972, përfaqësues i Kosovës – anëtar i Këshillit Profesional të LF të Serbisë në Beograd;
Nga viti 1966-1970, përfaqësues i Kosovës, anëtar i Këshillit Profesional të LFJ në Beograd;
Nga viti 1968-1972, është emëruar Nënkryetar i Lidhjes së Organizatave të Kulturës Fizike-LOKF të UP në Prishtinë.
Komisar i Federatës së Futbollit të Kosovës 1994-1997, në Prishtinë;
Kryetar i Komisionit: Akademia Olimpike e Kosovës “ACOK” 2006 – (mandati vazhdon)
Funksionet: Trajner-Selektor në Futboll dhe Hendboll.
Kosovë-Serbi-Kroaci-Jugosllavi :
Trajner i KF “Tekstilci” – Prishtinë, 1957;
Trajner i Klubit Hendbollistik “Normalisti” – Prishtinë, 1957-1960;
Trajner – Bashkëpunëtor i Selektorit Miljan Miljaniq, 1962-1970, në fushimet dimërore dhe verore me Juniorët e klubeve futbollistike Krahinore, Republikane dhe Federative, të organizuara nga Lidhja Futbollistike e Jugosllavisë.
Në Makarska (Janar-Shkurt 1963), Beograd-Koshutnjak (Qershor-Korrik 1963); Fushimi dimëror në Makarska (Janar-Shkurt 1964), Beograd- Koshutnjak (Qershor – Korrik 1964) dhe në fushimin dimëror në Makarska (Janar-Shkurt 1965).
Trajner i KF “BOR” Borski Rudnik 1963. Me bashkëpunëtorë Spasojeviq Dragutin dhe Zirojevic Danilo, të gjithë me DIF – Profesorë të Kulturës Fizike dhe Shkollën Federative të Trajnerëve – Trajnerë Superiorë, të kryera në Beograd.
Trajner Superior i KF “Rijeka” Rijekë. Themelues i Shkollës së Futbollit NK “Rijeka” në bashkëpunim me Shefin e Shtabit Profesional z. Stojan Osojnak – Trajner Superior, ekonomist i diplomuar.
Udhëheqës i Shkollës së Futbollit të NK “Rijeka” Rijekë, 1963-1966.
Trajner dhe Selektor i reprezentacionit të Juniorëve të zonës Rijeka-Pula-Istër-Kroaci, 1963-1966.
Trajner dhe Selektor i Lidhjes Futbollistike të Kosovës 1966-1970. I emëruar nga Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, z. Rexhai Surroi.
Kryetar i Këshillit Profesional të KF Prishtina, 1974-1977, i emëruar nga z. Ramadan Vraniqi.
Shef i Shtabit Profesional i KF “Flamurtari” Prishtinë, 1977/78, me bashkëpunëtor, Prof. dhe trajner i Kategorisë ‘A’ Jashar Peci dhe trajner Fehmi Prapashtica, Halil Sadiku.
Shef i Shtabit Profesional të KF “Ballkan” Suharekë (Therandë), 1980/81 me bashkëpunëtor-trajnerët e kategorisë A, Ahmet Elshani dhe Gafur Kabashi.
Shef i Shtabit Profesional i KF “Borac” Ferizaj, 1981-1983 me bashkëpunëtor Ismet Shabani, trajner i Lartë dhe Xhemajl Xheladini, trajner i kategorisë ‘A’.
KF “Shkëndia” Lugarë, 1993/94, Prishtinë. Shef dhe koordinator i punës me Profesor – Trajner Sali Krasniqi.
Trajner e Selektor i Reprezentacionit të Futbollit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Reprezentacionit të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë, 1968-1987.
1.Pjesëmarrës në Revistat e Kulturës Fizike, garat sportive, Gimnastrada, Universiada, Lojërat Mesdhetare, Kampionatet Evropiane, Botërore dhe Lojërat Olimpike (nga viti 1948-1991).
Në manifestimet e përmendura ka marrë pjesë në cilësinë e garistit sportiv, udhëheqës i ekipit, grupit të ushtruesve, ekipit të sportit përkatës si profesor e trajner dhe Selektor i pavarur.
Pjesëmarrës në Universiadat e Universitetit të Prishtinës, 6 Universitetet e Serbisë dhe 19 Universiteteve të Jugosllavisë nga viti 1968-1987.
2. Pjesëmarrës në seminare profesionale e shkencore, kongrese të kulturës fizike, simpoziume, udhëtime studiuese, vizita zyrtare, si individ, si anëtar dhe si udhëheqës i ndonjë delegacioni në vend: Slloveni, Kroaci, BeH, Vojvodinë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Jashtë vendit – shtete të jashtme: Greqi (1954), Itali (1965), Austri (1965), Gjermani (1966), Çekosllovaki (1968), Rumani (1969), BRSS: Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi (1969), Shqipëri (1972, 1980, 1996) dhe SHBA (1996).
3. Për punë shumëvjeçare për zhvillimin e Kulturës Fizike në përgjithësi e në veçanti të Edukatës Fizike dhe Sportit Shkollor, Universitar, Sportit Rekreativ të punëtorëve, Sportit amator e profesional në Kosovë e Kroaci.
Është shpërblyer nga Grupi KOHA për vepër jetësore, me 21 dhjetor 2011; nga Komuna e Prishtinës me Mirënjohje me 11 qershor 2012; nga FFK të UP në Prishtinë me Mirënjohje më 13 maj 2013 dhe nga KOK – Komiteti Olimpik i Kosovës me mirënjohje më 23 qershor 2013.