Rreth 400 vende të lira nga gjithsej 1515 tashmë janë plotësuar në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup në afatin e parë për regjistrim që do të vijoj deri në fund të javës, shkruan Alsat.
Shumë prej maturantëve i janë drejtuar Fakultetit të Shkencave Sociale ndërsa interesim i lartë për programin studimor Inxhinieri biokimike. Sipas drejtuesve të Universitetit kjo ka të bëj me promovimin e fuqishëm të arsimit të mesëm profesional.
“Një fluks i jashtëzakonshëm është shënuar në Fakultetin e Shkencave Sociale në të cilin interesi i paraprinë studimeve të psikologjisë duke vazhduar pastaj në Fakultetin Teknologjik ku ka një numër të madh të konsiderueshëm të aplikantëve në programin studimor Inxhinieri biokimike. Pastaj, Fakulteti Ekonomik ka një numër të konsiderueshëm në programin e doganës dhe shpedicionit”, tha Arta Xhelili, UNT.
Përveç maturantëve nga Shkupi dhe Kumanova, një numër i konsiderueshëm i studentëve vijnë nga Velesi, Ohri dhe Presheva. Studentët që plotësonin formularët për aplikim kishin zgjedhur drejtimet që kanë të bëjnë me financa dhe banka. Disa mendojnë të punojnë në vend ndërsa shumë të tjerë jashtë vendit pas studimeve.
“Prej cilës shkollë vini? Prej gjimnazit “Koço Racin” Veles, Më mirë në Shkup e kemi, më afër. Për cilin drejtim vendose? Financa dhe banka. Kemi dëgjuar fjalë të mira dhe është universiteti në gjuhën tonë, në gjuhën e nënës, patjetër të vijmë këtu të regjistrohemi. Për akomodimin në konvikt keni vendos? Jo kemi marr një banesë me shoqet bashkë”, u shpreh një brucoshe.
“Edhe unë për financa dhe bankë. Ma merr mendja që do ja dal. Të ardhmen e sheh në Maqedoni, pas përfundimit të studimeve ose jashtë vendit? Besoj që këtu”, theksoi një tjetër brucoshe.
“Nga cila shkollë e mesme vini? Nga PTT “Vllado Tasevski”. Pse vendosët për ekonomi, çfarë prisni për të ardhmen, do të mbeteni në Maqedoni ose do të punoni jashtë vendit? Sinqerisht jashtë vendit, këtu nuk e shoh të ardhmen. Përse? Nuk ka asgjë speciale”, tha një brucoshe.
Studentët që janë drejt përfundimit të fakultetit kanë pasur një sërë ankesash që tashmë janë raportuar e që kanë të bëjnë me mungesën e transportit, referentëve si dhe dixhitalizimin e shërbimeve.