Një 42-vjeçar është arrestuar në Dibër pasi u kap duke transportuar mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.
Në pranga është vënë dhe 1 doganier i degës Bllatë, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, ka lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vihet nën hetim një tjetër doganier i kësaj dege, i dyshuar për shpërdorim të detyrës
Njoftimi:
Dibër/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Skaneri”.
U kap në flagrancë, gjatë transportimit të mallrave që kishte kontrabanduar nga RMV-ja, vihet në pranga 42-vjeçari.
Në pranga dhe 1 doganier i degës Bllatë, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, ka lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihet në hetim 1 tjetër doganier i kësaj dege, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Sekuestrohen mallrat, automjeti me të cilin transportoheshin, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një rast të kontrabandimit nëpërmjet PKK Bllatë, të mallrave të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Skaneri”.
Në kuadër të operacionit:
-u vu në pranga shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja të ardhurave”;
-u vu në pranga shtetasi A. L., 51 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 50 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në territorin e njësisë administrative Maqellarë, u ndalua automjeti tip “Opel” që drejtonte 42-vjeçari. Nga kontrolli në automjet u gjetën mallra (kuti me detergjentë dhe materiale për paketim) të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Nga hetimet e mëtejshme për këtë rast, dyshohet se 2 doganierët kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar 42-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.