Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një armëpushim në Gaza do të hyjë në fuqi menjëherë, sapo Hamasi të pranojë një plan të ri të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës. Sipas tij, Izraeli ka pranuar tërheqjen fillestare, dhe me konfirmimin e Hamasit do të nisë shkëmbimi i pengjeve dhe i të burgosurve.
Plani parashikon që Hamasi të lirojë 48 pengje, të dorëzojë pushtetin në Gaza dhe të çarmatoset. Në këmbim, Izraeli do të ndalojë ofensivën, do të tërhiqet pjesërisht dhe do të lejojë ndihma humanitare.
Hamasi ka pranuar disa elementë të planit, por kërkon konsultime për detajet e tjera. Megjithatë, grupi nuk ka komentuar për çështjen e çarmatosjes, që mbetet thelbësore për marrëveshjen.
Ndërkohë, Netanyahu ka shprehur shpresë për një marrëveshje të afërt, ndërsa familjarët e pengjeve kanë bërë thirrje për shtimin e presionit diplomatik, duke paralajmëruar se “ekstremistët nga të dyja palët” mund ta sabotojnë procesin e paqes.
Konflikti nisi më 7 tetor 2023 me një sulm të Hamasit që vrau 1,200 izraelitë dhe mori 251 pengje. Nga atëherë, mbi 67,000 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Hamasi.
Lëvizja e Netanyahut: Ushtria izraelite nuk do të largohet nga Rripi. Gjak mbi negociatat
Mëngjesi në Gaza kishte nisur me shpresën për një armëpushim, por përfundoi me bombardime. Ndërsa Trump falënderonte Netanyahu-n për “pezullimin” e sulmeve në Rripin e Gazës, dëshmitarë nga qyteti i Gazës, tregonin për një tjetër masakër.
Sipas raportimeve të Mahmoud Bassal, zëdhënës i mbrojtjes civile që operon nën autoritetin e Hamasit, “numri i viktimave ka arritur në 57, nga të cilët 40 vetëm në qytetin e Gazës”. Në lagjen al-Tuffah, një bombë goditi një ndërtesë, duke shkaktuar vdekjen e 17 personave, mes tyre 7 fëmijë të moshës 2 deri në 8 vjeç, sipas të njëjtave burime.
Në mëngjes, ushtria izraelite kishte njoftuar se po kalonte në një modalitet vetëm mbrojtës, për të lejuar nisjen e negociatave për pengjet.
Të hënën në Sharm el Sheik, Egjipt, delegacionet e Hamasit dhe Izraelit do të nisin bisedime të direkte, hera e parë që rikthehen në komunikim që pas përpjekjes së Izraelit për të vrarë të gjithë drejtuesit e Hamasit jashtë vendit duke bombarduar kryeqytetin e Katarit, një aleat i ngushtë i SHBA-ve.
Në tryezën e bisedimeve do të marrin pjesë: ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, njeri i besuar i Netanyahu-t; I dërguari special i SHBA-ve për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff; Jared Kushner, dhëndri i Trump, arkitekt i Marrëveshjeve të Abrahamit dhe, Tony Blair.
Trump po investon shumë kapital politik për të arritur paqen, duke shpresuar në zgjerimin e marrëveshjeve të Abrahamit me vendet e Gjirit, që më pas të përfshihen në biznesin e madh të rindërtimit të Gazës. Ai ushtron presion ndaj Hamasit se “Nuk do të toleroj vonesa”, por premton që “të gjitha palët do të trajtohen me drejtësi” dhe thekson ndikimin e tij mbi kryeministrin izraelit:
“I kam thënë Bibit (Netanyahu-t) që duhet të jetë dakord me mua. Nuk ka zgjedhje tjetër.” Netanyahu, në prag të takimit në Egjipt, e paraqet situatën si fitore personale: “Jemi në prag të një arritjeje të madhe. Shpresoj të mund t’ju njoftoj për lirimin e të gjithë pengjeve tona, menjëherë. Disa nuk besonin se mund të arrinim lirimin e plotë pa një tërheqje të plotë. Ju them: kjo është reale. Dhe, me ndihmën e Zotit, do të ndodhë shumë shpejt.”
Ai justifikoi ndryshimin e qëndrimit të Hamasit me “presionin ushtarak dhe diplomatik” që Izraeli ka ushtruar. Netanyahu premtoi se Hamasi do të çarmatosej dhe shkatërrohej, qoftë ushtarakisht apo politikisht, dhe Gaza do të demilitarizohej.
Por kjo pa u tërhequr ushtria izraelite (IDF): “Ne do të qëndrojmë në territoret që kontrollojmë.”
Megjithatë, kjo nuk është ajo që parashikon plani i Trump-it. Pikërisht për këtë dhe për garancitë që lufta nuk do të rifillojë, Hamasi po kërkon siguri nga ndërmjetësit: Katari dhe Turqia.
Trump ka bërë lëshime të mëdha për këto dy vende: Emirit të Katarit, Al Thani, i ka ofruar një pakt mbrojtjeje reciproke me SHBA-të, të cilin as Izraeli nuk e ka; Ndërsa presidentit turk Erdogan, armë dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Në mbrëmje, vetë Trump është rikthyer te çështja e tërheqjes: “Izraeli ka pranuar një linjë fillestare të tërheqjes si pjesë e planit të paqes që është ndarë me Hamasin. Sapo Hamasi ta konfirmojë, një armëpushim do të hyjë menjëherë në fuqi, do të nisë shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve, dhe do të krijojmë kushtet për fazën tjetër të tërheqjes, e cila do të na çojë drejt përfundimit të kësaj katastrofe.”