Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se një “nëndetëse e madhe e trafikut të drogës” është shkatërruar nga forcat amerikane, ndërsa dy prej personave që ndodheshin në bord, të cilët i quajti “narko-terroristë”, janë dërguar në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi.
“Pata nderin të shkatërroja një nëndetëse të madhe që transportonte drogë drejt Shteteve të Bashkuara, në një rrugë të njohur trafiku. Sipas shërbimeve tona të inteligjencës, ajo ishte e mbushur kryesisht me Fentanil dhe lëndë të tjera të paligjshme”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
Sipas tij, në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre u vranë gjatë operacionit, ndërsa dy të tjerët u kapën të gjallë dhe janë dorëzuar autoriteteve në vendet e tyre përkatëse për t’u ndjekur penalisht.