Midis një brezi që përdor TikTok si një motor kërkimi për lajme, ngjarje dhe tendenca të tjera, ky i fundit është kthyer dhe në një rrëfyes udhëtimesh, sidomos për Gjeneratën Z, që është dhe demografia më e spikatur në TikTok.
Prej kohësh është pranuar se kanalet kryesore për të arritur Gjeneratën Z janë rrjetet sociale. Por ndërsa vetëm pak vite më parë strategjia e përfshirjes së tyre nënkuptonte praninë e tre kryesoreve: Facebook, Twiter dhe Instagram, sot Gjenerata Z po i jep përparësi atyre platformave që fokusohen te videot.
Në këtë rast platforma e preferuar është TikToku që kryeson me 72% të përdoruesve të këtij brezi krahasuar me platformat e tjera.
Gjenerata Z është përcaktuar kushdo i lindur nga 1997 e tutje. Anëtarët më të vjetër të “Gen Z” sapo kanë mbushur 26 vjeç dhe do të jenë në të 30-at deri në vitin 2030. Sot ata janë fuqia më e madhe e punës. Shoqata e Udhëtimit të SHBA thotë se udhëtimet janë rritur me 5.5% që nga viti i kaluar tek kjo grup moshë.
Shumë njerëz tani po përdorin këtë aplikacion për këshilla udhëtimi por dhe për t’u njohur me përvojat e udhëtimit të përdoruesve të tjerë.
Videot e TikTok me hashtagun #travel kanë mbledhur më shumë se 230 miliardë shikime në aplikacion. Përmbajtja e lidhur me udhëtimet varion nga udhëtimet me kosto të ulëta tek ato luksoze deri dhe fluturimet më të lira dhe të përballueshme për këdo.
Por, ekspertët paralajmërojnë se ndërsa shumë video në aplikacion mund të shërbejnë si frymëzim për destinacionet e udhëtimit, përdoruesit duhet të bëjnë gjithmonë kërkimin e tyre, sepse jo gjithçka që shfaqet aty është e vërtetë.
“Me gjithçka në internet, por veçanërisht në TikTok, gjërat bëhen virale kaq shpejt. Duhet të kesh një filtër për të gjithë përmbajtjen që shikon,” thotë Jo Franco, një prezantuese e emisioneve të udhëtimit në Netflix dhe CEO e kompanisë JoClub .
Përdorni TikTok referenca e parë për të zbuluar destinacione
TikTok është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth udhëtimit sidomos për njerëz që kanë përvojë të kufizuar udhëtimi dhe nuk dinë se çfarë i pret. TikTok ishte veçanërisht ngushëlluese për udhëtare si Caroline Berdugo, një koordinatore programi 23-vjeçare e cila nuk e kishte menduar kurrë më parë të bënte një udhëtim vetëm fare në Tajlandë.
“Përpara TikTok-ut, nuk e dija kurrë p.sh. se çfarë ishin bujtinat. Një nga ankthet e mia ka qenë: “Oh, nuk e di se si do të ndihesha të udhëtoja vetëm, apo “Si do të ishte të jetoje në një vend me njerëz që po ashtu si unë udhëtojnë vetëm. Por kur pashë në TikTok se sa përvojë bukur ishte kjo vendosa ta provoj”, thotë Berdugo për Time.
Jo Franco thotë se TikTok është një mjet i shkëlqyer për të mësuar rreth vendeve të ndryshme. Përmes videove aty mëson për gjithçka, nga ajo që duhet të veshësh, të shohësh dhe të shmangësh gjatë udhëtimit në vendin që ke shkuar.
Përdoruesit që kërkojnë një vend për të vizituar mund të kërkojnë gjithashtu “destinacione udhëtimi” në shiritin e kërkimit dhe aplikacioni do të sugjerojë kërkime të tjera të njohura si “vende udhëtimi të përballueshme”, “vendet luksoze për të udhëtuar” ose “destinacioni më i mirë i udhëtimit për 2023-shin”, në mënyrë që përdoruesit të mund të kufizojnë kërkimin e tyre.
Nga hulumtimet në këtë plaformë nga Top Channel, rezulton se edhe Shqipëria është një nga destinacionet trend i vitit në TikTok.
“Wow Shqipëria është një nga udhëtimet e mia më të parapëlqyera në 6 muajt e fundit.”- shkruan një blogere udhëtimesh në TikTok (torastravel), teksa videot e saj nga udhëtimi i saj në bregdetin shqiptar por ne veri marrin mijëra klikime.
“Nuk është Bali por Shqipëria dhe diferenca është se ndodhet më afër, është më lirë dhe ushqimi është fantastik”, shkruan një tjetër.
Përdoruesit mund të marrin këshilla nga vendasit ose udhëtarët e tjerë ndërkombëtarë në internet ku përmes videove informohesh për gjithçka, që nga ajo që duhet të veshësh deri te gjërat që duhet të shmangësh gjatë udhëtimit jashtë vendit
“Nëse qëllimi juaj është të mësoni më shumë për botën, gjuhët dhe të kuptoni njerëzit në vende, TikTok është një fillim i mrekullueshëm,” thotë Franco. “Do t’ju shërbejë gjëra që as nuk e dinit se i dëshironit për vende që ndoshta as nuk e dinit se ekzistonin.”
Por…ka gjithmonë një “por” kur bëhet fjalë për rrjetet sociale dhe video që bëhen virale duke marrë miliona klikime.
“Kur shihni një video me nivel të lartë viraliteti, do ta merrni atë që thuhet në video pak me dyshim si kur flitet për mirë ashtu edhe për keq për një destinacion të caktuar”, thotë Franco për TIME.
Mbingopja e përmbajtjes në TikTok gjithashtu mund ta bëjë të vështirë krijimin e një databaze të besueshme në këtë rast.
“Një Youtube, për shembull, mund të krijosh një bazë besnike të personazheve që ndjek dhe tu besosh këshillave të tyre. Për përdoruesit e TikTok është e vështirë të ndërtosh atë lloj marrëdhënieje me ndjekësit sepse njerëzit janë të përmbytur me një bollëk përmbajtjesh”, thonë ekspertët.
Ata paralajmërojnë në mënyrë specifike që të mos u besojmë videove në TikTok që duken “shumë të bukura për të qenë të vërteta” kur bëhet fjalë për udhëtime.
Siç, p.sh. janë videot që qarkulluan vitin e kaluar për disa zona në Itali që paguanin mijëra euro nëse zgjidhje të jetoje aty, por e thënë kështu ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
“E vërteta në rastin e zhvendosjes në ishullin italian të Sardenjës, aplikantëve iu garantohej rreth 15,000 dollarë në muaj nëse do të zhvendoseshin atje, por ata gjithashtu duhej të jetonin në një qytet me një popullsi prej më pak se 3,000 banorë dhe duhej të linin garant një shumë të caktuar nga buxheti i tyre për rinovimin e një shtëpie atje”, raportonte CNBC.
Pavarësisht të gjithave TikTok është kthyer së asnjë platformë tjetër online në një hapësirë e rëndësishme që nxit dhe frymëzon ndjekësit për udhëtime dhe i orienton ata drejt destinacioneve më trend të vitit.