Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas një tërmeti të fuqishëm që goditi veriun e Afganistanit, njoftojnë autoritetet lokale. Bilanci i viktimave pritet të rritet ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti me magnitudë 6.3 goditi pranë qytetit Mazar-e-Sharif, një nga qytetet më të mëdha të vendit, me rreth 500 mijë banorë. Lëkundjet ndodhën në orën 01:00 të mëngjesit me orën lokale (20:30 GMT të së dielës), në një thellësi prej 28 kilometrash, dhe u klasifikuan në nivelin “portokalli” të alarmit, që tregon për mundësi të larta viktimash.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë talebane, Sharafat Zaman Amar, tha se më shumë se 20 persona janë konfirmuar të vdekur dhe mbi 320 janë plagosur. Zyrtarët provincialë thanë për BBC se numri i viktimave mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit ende po kërkojnë nën rrënoja.
Haji Zaid, zëdhënës i talebanëve në provincën Balkh, shkroi në platformën X (ish-Twitter) se “shumë persona janë plagosur” në distriktin Sholgara, në jug të Mazar-e-Sharifit, ndërsa raportoi “dëme të lehta materiale dhe lëndime të vogla” në zona të tjera të provincës. Ai shtoi se pjesa më e madhe e lëndimeve u shkaktua nga njerëz që ranë nga ndërtesa të larta gjatë lëkundjeve.
Banorët e Mazar-e-Sharifit, sipas agjencisë AFP, dolën me nxitim në rrugë nga frika se shtëpitë e tyre mund të shembeshin. Në video të publikuara në rrjetet sociale, zëdhënësi i talebanëve në Balkh tregoi mbeturina të shpërndara në oborrin e Xhamisë Blu, një monument i njohur fetar në qytet, ku besohet se ndodhet varri i Imamit të parë shiit.
Në provincën fqinje Samangan, një rajon malor pranë Mazar-e-Sharifit, autoritetet raportuan gjithashtu viktima.
Tërmeti i së hënës vjen vetëm dy muaj pasi një tjetër tërmet me magnitudë 6.0 goditi rajonin lindor malor të Afganistanit, duke shkaktuar mbi 1.000 viktima. Shumë nga ato viktima u shkaktuan për shkak të banesave tradicionale prej balte dhe druri, që u shembën plotësisht nga lëkundjet.
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet, për shkak të pozicionit të tij mbi kufirin e pllakave tektonike indiane dhe euroaziatike.










