Rexhep Miftari, Hebib Berisha dhe Isuf Miftari janë tre nga 27 punonjësit e përjashtuar nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”. Ata pretendojnë se nga puna janë larguar padrejtësisht pavarësisht vendimeve për punë mbi 30 vjet, respektimit të orarit dhe rregullores për punë në këtë institucion. Siç thonë ata pjesëmarrja në protestë është arsyeja e vetme e përjashtimit nga puna.
“Ishte një shok i madh pas gjithë këtyre vuajtjeve që i kemi në punë. E vetmja arsye është pse kemi protestuar, pse kemi kërkuar rrogë më të madhe sepse jemi nën rrogën minimale. Arsyeja e vetme është pse kam dal para mediumeve me i kërkuar të drejtat. Nëse kjo është krim unë e pranoj, këtë e kam bë. Kemi punuar edhe kur na ka takuar pushimi, kemi zëvendësuar kolegë të sëmurë, me pagesë e pa pagesë. Punëtor i thjesht i krahut, për mbeturina”, tha Rexhep Miftari, i larguar nga puna.
“Qe 31 vjet, nuk është 30 ditë po 30 vjet. As nuk jam marrë në pyetje se për çfarë arsye me më largu prej punës. Le ti kërkon ata që nuk kanë ardhur në punë, ka gjyq që interesohet për atë punë, unë rregullisht kam qenë në punë. A mund ta dëshmosh që ke qenë i rregullt? Rregullisht kam qenë, si të dëshirojnë, për punën time e di unë, nuk mundet ajo të më tregoj, ajo mund të thotë çfarë dëshiron”, u shpreh Hebib Berisha, i larguar nga puna.
Nga ana tjetër, Isuf Miftari tha se kamerat e sigurisë gjithandej në qytet dhe higjienën komunale mund të dëshmojnë prezencën ose mungesën e tyre në punë.
“Edhe unë jam 25 vjet në punë, nuk kam qenë as në Gjermani, as në Zvicër. Shkupi ka gjithandej kamera, ka mundësi shteti me reagu, me i kontrollu kamerat e me e pa a kemi qenë në punë a në Gjermani. Unë jam kundër krimit, ata që kanë qenë në Gjermani e Zvicër. Kemi punu, nga 15 tonë në natë mbeturina kemi mbledh edhe na kanë largu prej punës”, theksoi Isuf Miftari, i larguar nga puna.
Ditë më parë, kryetarja e Shkupit dhe drejtuesja e Higjienës Komunale konfirmuan se të përjashtuar janë pjesëmarrësit në protesta. Të punësuarit për tre ditë me radhë protestuan për rritjen e pagave, për pagesën e K-15 dhe kushte të tjera. Në konferencën për mediat, kryetarja e Qytetit të Shkupit dhe drejtorja e Higjienës Komunale Kosana Mazneva, deklaruan se në këtë ndërmarrje janë bërë keqpërdorime të mëdha, si punësimi i 70 personave nga një familje dhe 43 personave nga një familje tjetër. Ata akuzuan për klane mafioze brenda ndërmarrjes, ku vetëm persona të caktuar kanë punuar në ndërrimin e natës, e disa prej tyre nuk kanë shkuar as në punë dhe kanë marrë paga duke jetuar dhe punuar në Gjermani. Mbi 30 persona me vite kanë jetuar në Gjermani por kanë marrë paga mujore nga Higjiena Komunale. /Alsat.mk