Bullgaria, vend anëtar i BE-së, sinjalizoi, se do të lejojë fluturimin e presidentit rus Vladimir Putin përmes hapësirës së saj ajrore drejt Budapestit, ku do të zvhillohet takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Nëse bëhen përpjekje për arritjen e paqes, dhe nëse kushti për këtë është, që të ketë një takim, atëherë është logjike që të mundësohet zhvillimi i këtij takimi ashtu siç është e udhës”, është shprehur ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, sipas një njoftimi të radios shtetërore në Sofje në kuadrin e takimit të këshillit të ministrave të BE-së në Luksemburg.
Një itinerar i mundshëm fluturimi nga Moska për në Budapest kalon mbi Detin e Zi, mbi Bullgari dhe Serbi. Hapësira ajrore e Bullgarisë si vend anëtar në BE pas fillimit të luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainës është e mbyllur për avionët rusë. Itinerare të tjera të mundshme janë në veri përmes Bjellorusisë dhe Polonisë ose Detit Baltik, Gjermanisë dhe Çekisë.
Lavrov dhe Rubio përgatisin takimin e presidentëve
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe SHBA-së, Sergej Lavrov dhe Marco Rubio, kanë telefonuar për të përgatitur takimin e mundshëm të presidentëve lidhur me luftën në Ukrainë. Këtë e bënë të ditur Ministritë e Jashtme në Moskë dhe në Uashington. Sipas një njoftimi nga Moska janë biseduar hapa konkrete, për të vënë në jetë ato për çfarë është rënë dakord gjatë telefonatës të enjten (16.10.2025) e kaluar ndërmjet presidentëve Vladimir Putindhe Donald Trump.
Një zëdhënës i Rubios tha në Uashington, se qëllimi konkret është një “zgjidhje e qendrueshme për luftën ruso-ukrainase”, sikurse synon presidenti Trump. Pas telefonatës me Putinin, Trump deklaroi, se së shpejti do të takohet me kreun e Kremlinit në kryeqytetin hungarez, Budapest. Deri tani ende nuk është përcaktuar një datë. Paraprakisht është planifikuar një takim i ministrave të jashtëm, për të përgatitur samitin e dytë Trump-Putin.Të dy presidentët u takuan për herë të parë në mes të gushtit në shtetin federal të SHBA-së, Alaskë./Dw