Shtohet frika pas sulmeve terroriste në Gjermani, qeveria merr masa të ashpra, “blindon” kufijtë tokësorë

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser shpalli vendosjen e kontrolleve të përkohshme kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë. Vendimi u mor për të kufizuar migrimin e parregullt dhe për të mbrojtur publikun nga ekstremizmi islamik.

Kontrollet do të fillojnë më 16 shtator dhe fillimisht do të zgjasin për gjashtë muaj.

Qeveria gjermane është konsultuar me partinë kryesore opozitare CDU për mënyrat për të frenuar migrimin përballë shqetësimit publik dhe pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues sirian muajin e kaluar në qytetin e Solingenit.

Javën e kaluar, partia kundër imigracionit AfD fitoi zgjedhjet shtetërore në Turingi dhe doli e dyta në Saksoni.

Social Demokratët e zonjës Faeser përballen me zgjedhje shtetërore në Brandenburg pas dy javësh, ku partia qeveris në koalicion me të Gjelbërit dhe Demokristianet.

Gjermania ndan kufirin e saj tokësor prej më shumë se 3700 kilometrash me Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën, Austrinë, Republikën Çeke dhe Poloninë.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Gerhard Karner, i tha gazetës gjermane ‘Bild’ të hënën se vendi i tij nuk do të pranonte asnjë emigrant të larguar nga Gjermania në kufi.

“Nuk ka vend për manovrim”, tha ai.

“Ekziston ligji për këtë. Unë e kam urdhëruar kreun e policisë federale që të mos lejojë asnjë kthim”, shtoi ai.

Gjermania do të punojë ngushtë me vendet fqinje në zbatimin e kontrolleve të përkohshme kufitare, tha të hënën Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, duke shtuar se kjo do të mbajë ndikimin në rajonet ndërkufitare sa më të vogël të jetë e mundur.

“Është e rëndësishme për ne që të veprojmë në partneritet të ngushtë me fqinjët tanë dhe të minimizojmë ndikimin mbi udhëtarët dhe jetën e përditshme në rajonet kufitare”, tha zonja Faeser.

Gjermania vitin e kaluar njoftoi kontrolle më të rrepta në kufijtë e saj tokësorë me Poloninë, Çekinë dhe Zvicrën në përgjigje të një rritjeje të madhe të kërkesave për azil për herë të parë./voa

Next Post

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, bashkë me bashkëpunëtorë mori pjesë në Mbledhjen me Popullin të organizuar nga dega në Cashkë. Kryetari Ahmeti theksoi se mbledhjet dhe takimet e këtilla të degëve do të jenë pjesë e statutit tonë dhe do të vazhdojnë të jenë forumet ku të gjithë mbështetësit dhe përkrahësit tanë do të kenë mundësinë të kontribuojnë dhe të kenë një zë të fuqishëm. Kryetari Ahmeti nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend i vogël, dhe mund të njihemi të gjithë kokë më kokë. Është shqetësuese kur dëgjojmë debatet e intelektualëve dhe opinionistëve maqedonas që pyesin përse shqiptarët kanë ndryshuar statusin e tyre politik dhe social, përse kanë arritur përfaqësimin në të gjitha institucionet, përse po angazhohen për barazi. Po, ne kemi bërë përpjekje për t’i arritur ato që i kërkuam për breza me mund e sakrifica. Ne nuk kërkuam më shumë, por vetëm të jemi të barabartë me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Lideri i BDI-së para të pranishmëve theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është shtet vetëm i një bashkësie etnike, por është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre, dhe asnjë qytetar nuk duhet të ndihet si qiraxhi. Kjo është një e drejtë që nuk mund ta mohojmë. Ali Ahmeti bëri të ditur se ky shtet është edhe i shqiptarëve, por jo i shqiptarëve që duan të mbeten të nënshtruar, pa gjuhë, pa flamur, si barinj. Kjo periudhë ka kaluar! Ne do të vazhdojmë të angazhohemj për barazi të plotë, për të drejtat tona dhe për një të ardhme më të mirë për çdo qytetar. Gjithashtu, kreu i BDI-së tha se Marreveshja e Paqes e Ohrit mbetet një dokument i rëndësishëm dhe garanci për stabilitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në dhe të gjitha komuniteteve në shtet. Ajo është e garantuar nga aleatët tanë ndërkombëtarë, dhe çdo tentativë për ta rinegociuar atë është e papranueshme. Ali Ahmeti përsëriti se Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është arritur me shumë mund e gjak, dhe ajo që është arritur me gjak nuk mund të shkatërrohet kollaj. Ne duhet të veprojmë si një trup i vetëm, për të ruajtur këtë arritje të madhe dhe për të ecur përpara, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin e vendit tonë. Maqedonia e Veriut ka nevojë për zhvillim, prosperitet dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Bashkëpunimi dhe respekti reciprok midis të gjitha grupeve etnike janë thelbësorë për të ardhmen e vendit tonë. Ali Ahmeti në fund tha se ne nuk duam argatë, por funksionarë që punojnë për të gjithë qytetarët. Qeverisja e vërtetë është ajo që është e angazhuar për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik