Qytetarët e Shqipërisë do t’iu drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë për legjislativin e ri në katër vjetët e ardhshëm.
Në garën për zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare janë 11 subjekte, përfshirë 8 parti politike dhe tri koalicione, dhe për 140 deputetët e rinj do të kenë mundësi vote 3 milionë e 713 mijë e 761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, nga të cilët 114 mijë e 642 për herë të parë.
Të drejtën kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale e kanë edhe 3 mijë e 27 persona të dënuar dhe të paraburgosur.
Diaspora shqiptare për herë të parë është përfshirë në votim, ku sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbi 245 mijë persona janë regjistruar. Qytetarët jashtë vendit kanë mundësinë të votojnë pas regjistrimit në Platformën Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë.
Numri i përgjithshëm i zonave zgjedhore është 12 dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga tri mandate për Qarkun e Kukësit deri në 37 mandate për Qarkun e Tiranës, raporton KosovaPress.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5.225 objekte që do të shërbejnë si qendra.
KQZ-ja ka bërë të ditur se 2.412 vëzhgues vendas nga 45 organizata vendore, 925 vëzhgues të huaj nga 30 organizata dhe institucione ndërkombëtare, 2.120 vëzhgues afatgjatë dhe 1.217 vëzhgues afatshkurtër do të jenë në terren për të ndjekur ecurinë e procesit zgjedhor.
Procesi zgjedhor do të monitorohet nga misioni i OSBE/ODIHR, kreu i të cilit Lamberto Zannier do të vizitojë gjatë ditës disa qendra votimi.
SPAK, KQZ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një task-forcë të përbashkët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Po ashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar rreth 7 mijë efektivë dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Heshtja elektorale ka nisur të shtunën dhe do të jetë në fuqi deri në kohën e mbylljes së vendvotimeve – ora 19:00.