Disa ditë pas humbjes historike të Serbisë në shtëpi ndaj Shqipërisë me rezultatin 0-1 në Leskovc, Federata e Futbollit të Serbisë ka lëvizur shpejt për të gjetur pasuesin e Dragan Stojković “Piksi”, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas ndeshjes.
Sipas mediave serbe, drejtuesit e FSS kanë arritur një marrëveshje verbale me Veljko Paunović, ish-trajnerin që udhëhoqi Serbinë drejt titullit kampion bote për të rinj në vitin 2015 në Zelandën e Re.
Presidenti i Federatës, Dragan Džajić, dhe sekretari i përgjithshëm, Branko Radujko, kanë marrë “po”-në e Paunovićit, dhe zyrtarizimi pritet në ditët në vijim.
Burime pranë Federatës kanë konfirmuar për gazetën Kurir: “Siç qëndrojnë gjërat tani, Veljko Paunović është trajneri i ri i Serbisë! Shanset janë 90 për qind. Ka pak gjëra që mund të prishin marrëveshjen.”
Fitorja e Shqipërisë 0-1 në Leskovc, falë golit të Rey Manajt në fundin e pjesës së parë, ka ndezur jo vetëm zemërimin e tifozëve serbë, por edhe ka shkaktuar ndryshime rrënjësore në pankinën e kombëtares.
Sipas mediave serbe, kjo disfatë u konsiderua “një nga më të dhimbshmet në historinë moderne”.










