Shpërthimi në Ibër-Lepenc, reagon BE: Sulm terrorist dhe akt sabotimi

Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotimi” një shpërthim ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të premten në veri të Kosovës, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “sulm kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media të shtunën pasdite.

“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Borrell nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.

“Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”, tha Borrell.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se

Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”, raporton transmetuesi shtetëror serb, RTS.

Borrell gjithashtu ka konfirmuar se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in.

Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, sipas tij, gjithashtu po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.

Kurti njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin.

Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin verior nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha një ditë pas sulmit është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Kjo i nxiti autoritetet kosovare t’i rrisin masat e sigurisë.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës ndërmori masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit gjatë një mbledhjeje në orët e hershme të mëngjesit të shtunën.

Të premten, Policia e Kosovës tha se i ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”.

Next Post