Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në 44 komuna, zgjedhja e kryetarëve të komunave është përfunduar zyrtarisht, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Deri tani pritej shpallja e rezultateve të tyre përfundimtare, për shkak se në 11 komuna ishin parashtruar ankesa që u refuzuan. Me këtë, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, bëri të ditur se më 2 nëntor, pra këtë javë, do të mbahet raundi i dytë i votimit në 33 komuna.
“Njëmbëdhjetë komuna bashkohen me 33 komunat për të cilat të enjten shpallëm rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve, ku zgjedhjet u përfunduan në raundin e parë. Me këtë shpallje të 11 komunave për zgjedhjen e kryetarit në raundin e parë dhe 33 të tjera nga e enjtja e kaluar, ku nuk kishte ankesa, gjithsej përfunduan 44 komuna ku u zgjodh kryetari në raundin e parë zgjedhor”, deklaroi Boris Kondarko, kryetar i KShZ-së.
Sa i përket këshillave komunalë, gjithashtu u parashtruan ankesa, por u pranua vetëm për tre vendvotime në Shuto Orizar.
“Vetëm një komunë mbeti me 3 vendvotime që u shfuqizuan nga Gjykata Administrative. Kjo është komuna Shuto Orizar, vendvotimet 2961, 2962 dhe 2966. Në këto tre vendvotime, pas simulimit, është konfirmuar se teorikisht numri i votuesve të regjistruar mund të ketë ndikim në shpërndarjen e mandateve në Këshill” tha Kondarko.
Megjithatë, me votimin e së dielës nuk përfundon procesi zgjedhor i zgjedhjeve lokale, sepse mbeten 4 komuna ku do të duhet të mbahen zgjedhje të reja, pasi nuk arritën kuorumin e votuesve të dalë. Këto janë komunat Gostivar, Vrapçishtë, Çentar Zhupa dhe Mavrovë-Rostushë, ku votimi do të zhvillohet 60 ditë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.










