Sot kur po shënojmë 25 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, kur në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998,
Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore serbe,
kujtimi ynë merr një dimension epik, jo vetëm për shkak të karakterit të
ngjarjeve, por edhe për shkak të efektit që prodhoi kjo epope, e cila në
qendër kishte rezistencën e familjes heroike Jashari në krye me
komandantin legjendar Adem Jashari. Sulmi i tretë i forcave serbe në
lagjen Jasharaj, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998,
kishte marrë jetën e 55 njerëzve, 22 prej të cilëve, familjarë të
ngushtë të Adem Jasharit.
Historia njeh shumë ngjarje që kanë dalur nga vullkani i pakënaqësive
të një populli. Por heroizmi i Jasharajve në Prekaz para 25 viteve,
përpos që ndryshoi opinionin publik ndërkombëtar mbi çështjen e Kosovës
, duke e ngritur atë në krye të agjendës botërore, njëherësh përshpjetoi
një proces të nisur i cili duhej të përfundonte me çlirimin e Kosovës.
Për rrjedhojë, në themelet e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës,
tash e 25 vite qëndron arsyeja sublime e sakrificës së familjes Jashari,
qëndron ideja e Adem Jasharit se pa rezistencë të armatosur Kosova nuk
mund të çlirohej. Në themelet e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës,
tash e 25 vite qëndron përgjigja ndaj të gjithë atyre që kishin iluzione
se Kosova mund të çlirohej pa rezistencë të armatosur.
Adem Jashari nuk e shpiku rezistencën e armatosur, por ai shpiku diçka
madhështore pa të cilën nuk mund të merrej me mend fitorja mbi
makinerinë pushtuese serbe: ai ua vrau inferioitetin shqiptarëve dhe i
bëri të dinjitetshëm dhe të liruar nga kompleksi i fajësisë ndaj brezave
të ardhshme. Duke ndjekur modelin e Adem Jasharit, shqiptarët u bënë
pjesë e një filozofie tjetër të mendimit dhe veprimit, prandaj roli dhe
konteksti që ka ai në histori, ndërlidhen me kthesën e domosdoshme që
duhej të merrnin ngjarjet në Kosovë, të cilat nuk do ta kishin
dimensionin e papërsëritshëm historik sikur të mos e kishin në thelb
motivin për të rezistuar ushatarkisht.
Ne jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit, e patëm edhe në mesin
tonë, këtu në Shkupin Dardan në fillm të viteve 90-të. Është meritë e
shkupjanëve, parasegjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të
Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan
strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e
lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu
simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë. Kur i bënë
këto veprime, këta shokë dhe bashkëveprimtarë nga Shkupi nuk e kishin
idenë se një ditë Adem Jashari do të bëhet komandant legjendar dhe do të
flijohet bashkë me familjen për lirinë e Kosovës, por ata e dinin shumë
mirë se në mesin e tyre kishin një vullkan që po nxiste një energji
lëvizëse drejt majave të sakrificës.
Prandaj, sa herë që përkujtojmë Epopenë e lavdishme të UÇK-së, nuk duhet
harruar edhe Shkupin, një degë të këtij vullkani, aty ku Adem Jashari,
bashkë me një grup shokësh dhe veprimtarësh të zgjedhur, të grumbulluar
rreth Ismet Shabanit, ishin betuar para flamurit dhe kishin vendosur të
shkonin në Shqipëri dhe të ndjeknin orët praktike të një shkolle e cila
do t’iu ofronte njohuri të mjaftueshme mbi artin e luftës. Adem Jashari
bashkë me vëllezërit nga Shkupi, sikur po e rishkruante edhe njëherë
historinë, sepse po shkonte gjurmëve të Hasan Prishtinës, i cili jo
rastësisht e zgjodhi kryeqytetin Dardan për të drejtuar lëvizjen
kombëtare shqiptare në fillimvitet e shekullit të kaluar.
Nëse bëjmë një paralelizëm në mes të Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit,
do të mund të nxirrnim të përbashkëtat dhe të veçantat që karaktrizonin
profilet e tyre, por sot kur shënojmë 25 vjetorin e Epopesë së lavdishme
të UÇK-së, do të thoshim se të dy këto figura udhëtuan bashkë nëpër
furtunat e kohëve deri në ditët e sotme, për të na e kujtuar një fakt se
dialektika historike nuk mund të ndalet. Atë që nuk mundi ta realizojë
Hasan Prishtina sa ishte gjallë, e realizoi Adem Jashari me heroizmin e
tij titanik, duke u bërë kështu zëdhënësi kryesor i të gjitha betejave
të pambaruara dhe luftërave të fituara të shqiptarëve nëpër shekuj.
Figura e Adem Jasharit ka dimension gjithëkombëtar. Jo vetëm pse në
Tiranë, Shkup dhe në mbarë Kosovën sot ka plot rrugë, sheshe , shkolla e
institucione që mbajnë emrin e tij, por pse me emrin dhe veprën e tij u
identifikua krenaria e gjithë shqiptarëve. Ai është hero i gjithë
shqiptarëve, sepse fuqia e ndikimit të tij tejkalon përmasat e një heroi
lokal. Adem Jashari na mësoi se çdo njeriut i ofrohet shansa të hyjë në
histori, por për të hyrë në histori duhet bërë vepra të papërsëritshme.
Historia e Adem Jasharit nuk është një këngë që mund ta dëgjosh për së
gjalli, por janë të gjallët ata që mbi sakrificën sublime të heroit të
tyre ndërtojnë kalanë e përjetshme të shtetndërtimit. Kosova pa këtë
kala nuk do ta kishte fatin të krijojë historinë e luftës çlirimtare dhe
ajo që pason lidhet me angazhimet tona të përbashkëta që kjo histori të
jetë shtetërore dhe e lidhur ngusht me aspiratat e Kosovës për proceset
euro-atlantike.
Shkupi dhe Adem Jashari do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan
kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat
kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit.