SHBA një hap më afër “bllokimit” të Tik Tok pas një vendimi gjyqësor

SHBA është një hap më afër ndalimit të platformës “Tik Tok”, pasi një gjykatë federale vendosi të mbështesë një ligj të ri që mund të ndalojë platformën deri në mes të janarit.

Vendimi mund të jetë një goditje e madhe për aplikacionin në tregun amerikan.

Mbi 170 milionë amerikanë përdorin TikTok për t’u argëtuar dhe informuar.

Në të njëjtën kohë, reagimet për mundësinë e ndalimit janë të forta, qoftë nga personat që mbështesin lirinë e fjalës, qoftë nga krijuesit, të ardhurat e të cilëve varen nga aplikimi.

Pyetje lindin edhe për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, i cili ka deklaruar vazhdimisht se e mbështet platformën, por nuk ka një rrugë të qartë për ta shpëtuar atë sipas ligjit të ri.

Ligji, i nënshkruar në prill, kërkon që ByteDanc , e cila zotëron TikTok, t’ia shesë aplikacionin një kompanie jo-kineze deri më 19 janar ose do të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara.

TikTok, i cili ka qenë nën kritika që nga viti

2020 për lidhjet e tij me Kinën, ka thënë se skenari i shitjes është i pamundur, pjesërisht sepse do të bllokohej nga qeveria kineze.

Kompania argumentoi se ligji në mënyrë të padrejtë veçon TikTok dhe se një ndalim do të shkelte të drejtat e Amendamentit të Parë të përdoruesve amerikanë.

Nuk dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë më pas për aplikacionin. Analistët vlerësojnë se kompania do të ankohet në Gjykatën e Lartë, pa asnjë garanci se çështja do të shqyrtohet.

Mbetet gjithashtu e paqartë se çfarë do të bëjë Donald Trump kur të marrë sërish frenat e Shtëpisë së Bardhë.

Next Post