Sejdini: Kallëzimet, tendencë për prishje të imazhit

“Dëshmoj me përgjegjësi se në Gjykatën Administrative nuk ka pasur, nuk dhe nuk do të ketë shpërndarje manuale të lëndëve gjyqësore derisa unë udhëheq me këtë institucion. Nuk mund unë dhe askush tjetër ta din se kur do të vjetërsohet një lëndë për tatime ose nga doganat. Të rralla janë rastet e vjetërsimit të lëndëve tatimore dhe doganore. Kjo ndodhë vetëm kur kalon afati 10 vjeçar i vjetërsimit absolut”, deklaroi Burim Sejdini, Kryetar i Gjykatës Administrative.
Duke komentuar përmbajtjen e lajmit të publikuar në Alsat, Sejdini tha se krenohet me Televizionit Kombëtar Alsat dhe se fëmijët e tij janë rritur nën edukimin mediatik të televizionit të parë kombëtar shqiptar në vend.

“Sinqerisht jam krenar me median e parë nacionale shqiptare Alsat M. Fëmijët e mi dhe familja ime, por posaçërisht fëmijët e mi të cilët kanë lindur në vitet 2003-2009 janë rritur me Alsatin. Kështu që as që diskutohet se kush është përcjellësi i informacionit”, u shpreh Burim Sejdini, Kryetar i Gjykatës Administrative.

Ndërkohë Komisioni për parandalimin e korrupsionit njoftoi formimin e lëndës në bazë të kallëzimit penal dhe procedimin e mëtejmë.

“Është formuar lëndë për rastin në fjalë dhe do të veprohet në përputhje me Rregulloren për punë. Gjithashtu lënda i është ndarë anëtarit të komisionit. Kallëzimi penal kundër kryetarit të Gjykatës Administrative, Burim Sejdini në institucionin tonë është dorëzuar më 28.06.2023”, njoftojnë nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit.

Duke komentuar formimin e lëndës në Anti-korrupsion, Sejdini u shpreh shkurt se është e drejtë ligjore e institucionit dhe se i uron punë të mbarë. Kallëzimet penale të dorëzuara në organet ligj zbatuese në rrugë anonime të cilat ditë më parë i publikoi ekskluzivisht Alsat përmbajnë akuza ndaj Sejdinit në cilësinë e kreut të Administratives për shpërndarje të lëndëve në mënyrë manuale dhe vjetërsim të qëllimshëm të lëndëve. Nga Policia Financiare akoma nuk ka përgjigje nëse është duke u vepruar, ndërsa Këshilli Gjyqësor vendosi që pas pushimeve të formon komision përkatës për kontroll në punën e Gjykatës Administrative. Sejdini në krye të Administratives ndodhet nga viti 2017, ndërsa në vitin 2021 u rizgjodh në këtë pozitë me vendim të Këshillit Gjyqësor. /Alsat.mk

Next Post