Zëdhënësi i Shtabit të Koalicionit VLEN në Komunën e Çairit, Sabri
Aziri, doli sot me një deklaratë publike për opinionin, ku rikujtoi
përfshirjen e padrejtë të familjes së tij në rastin e njohur si
“Monstra”, një rast që ai e cilëson si të montuar politikisht dhe një
nga goditjet më të rënda ndaj dinjitetit të shqiptarëve. Në kumtesën e
tij, Aziri kritikon drejtëpërdrejt Bujar Osmanin, për deklaratën e tij
publike ku “aprovoi” arrestimet e padrejta të familjes së tij dhe i
cilëson ato si një miratim të padrejtësisë shtetërore.
Deklarata e Sabri Azirit kërkon përgjegjësi morale e politike nga
figurat që në atë kohë mbajtën poste qeveritare dhe hedh dritë mbi
pasojat e gjata që këto veprime kanë pasur mbi familjen e tij dhe mbi
shqiptarët në përgjithësi.
Në vijim, po ua sjellim të plotë fjalimin e Zëdhënësit të Shtabit të
koalicionit VLEN në Çair, Sabri Aziri:
Unë jam Sabri Aziri nga Shkupi. Familja ime i ka rrënjët nga Karadaku i
Shkupit, nga fshati Brezë, një nga fshatrat kundër vite u shfaqën
celulat e para të levizjeve çlirimtare, mahalla Muriz. Jam anëtar i
familjes Aziri, familje e cila u persekutua në mënyrë të padrejtë dhe të
dhimbshme në rastin e njohur për opinionin si rasti i ashtuquajtur
“Monstra”.
Më 1 maj 2012, rreth orës 04:00 të mëngjesit, njësitë speciale të
policisë e bastisën shtëpinë tonë pa urdhër gjykate, duke më arrestuar
brutalisht mua- asokohe një djalë 30 vjeçar, vëllaun tim 34 vjeçar, dhe
babain tim 64-vjeçar – një pensionist i sëmurë, i operuar dhe në gjendje
të rënduar shëndetësore.
Gjatë arrestimit, e pyeta njërin nga policët se për çfarë arsye kishin
hyrë në shtëpinë tonë dhe a kishin urdhër nga gjykata? Njëri prej tyre
në prani të familjes sime mori dikë në telefon dhe i tha: “Përgatit
urdhër arrest, sepse kemi hyrë gabimisht në shtëpinë e Qani Azirit – na
duhet mbulesë juridike.”
Megjithatë, diten e njejtë, vetëm disa orë më vonë, qeveria e Ali
Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit mbajti konferencë për shtyp ku deklaruan
publikisht:
“I kemi zënë vrasësit e femijëve!” Ajo që pasoi pas këtij legjitimimi
politik të një arrestimi të pabazë, ishte një ankth dhe golgotë e rëndë
për familjen tonedhe shqiptarët. Prokuroria menjëherë ndërtoi një lëndë
akuzuese me të cilën na akuzoi, na gjykoi dhe na dënoi si monstra, si
përbindësha! U akuzuam si vrasës të fëmijëve, edhe pse as sot e kësaj
dite nuk u dëshmua asnjë lidhje e jona me ata fëmijë- nuk ka motiv, nuk
ka armë, nuk ka vepër! Ka vetëm deklarata politike, dhe ato janë
shfrytëzuar për të na shkatërruar neve.
Kjo deklaratë jo vetëm që shkeli në mënyrë flagrante parimin e
prezumimit të pafajësisë, duke i shpallur fajtorë shqiptarët para se të
fillonte procesi gjyqësor, por kjo deklaratë nxiti urrejtje, mllef,
mosdurim, dhe shqiptarët u bënë shënjestër e sulmeve dhe kërcënimeve të
njëpasnjëshme.
Vetëm dy ditë më vonë, Bujar Osmani, i udhëzuar nga shtabi në Zajaz, pa
asnjë ndjenjë përgjegjësie, pa turp doli në një medium shqiptar dhe
deklaroi:
“Në bazë të dëshmive, ne kemi aprovuar burgosjen e familjarëve!”
Pyes publikisht: cilat ishin këto dëshmi Bujar Osmani?
Nga e morët informacionin për përmbajtjen e dëshmive?
A mos vallë dëshmitë u gatuan nga kuzhinattuaja në Zajaz apo Reçicë?!
Ky “aprovim” i arrestimit nga Bujar Osmani dhe shokët e tij ishte një
njollë e rëndë kolektive ndaj shqiptarëve të Shkupit dhe shqiptarëve
nëpër bote, një padrejtësi që la pasoja deri më sot.
Gjyqësori me besueshmëri 2% i dirigjuar nga Nikolla Gruevski, Ali Ahmeti
e Bujar Osmani lanë pasoja të rënda për familjen time dhe shqiptarët:
3 persona të dënuar me burg të përjetshem
1 person i dënuar 13 vite
1 person i dënuar 15 vite
vuajtje dhe trauma të thella psikologjike,
presione të vazhdueshme institucionale,
sekuestrim pronash dhe ndjekje përmbarimore,
Shkurt e shqip: për Bujar Osmanin mandate të njëpasnjëshme për 11 vite
ministër e zv.kryeministër, ndërsa për të akuzuarit në rastin e montuar
‘Monstra’ dënime drakonike me mbi 400 vite burg!
Sot mbushen 13 vite, 5 muaj e 9 ditë nga arrestimi dramatik, me shumë
kamera e teatër i anëtarëve të familjes time, me aprovimin e Bujar
Osmanit, i cili sot pa fije turpi kerkon vota shqiptare!
Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti sot flasin për dinjitetin e nëpërkëmbur të
shqiptarëve. I pyes publikisht: a u shkel dinjiteti i shqiptarëve kur u
arrestuan motrat dhe nënat tona dhe u shfaqën me fytyra duke u
përcjellur nga policë meshkuj?!
A u shkel dinjiteti i shqiptarëve kur prokuroria e shpalli familjen time
përbindëshe dhe vrasëse fëmijësh për bindje fetare, edhepse kurrë asnjë
provë nuk u vërtetua lidhur me rastin?!
A u shkel dinjiteti i shqiptarëve kur prokuroria bëri një akuzë të
pastër politike me të cilën shqiptarët i kualifikoi si terroristë, si
vrasës fëmijësh, si popull përbindësh?!
Përse Bujar Osmani nuk brengosej për dinjitetin e shqiptarëve kur ishte
në funksion dhe të merrej me të vërtetën për rastin ‘Monstra’? Ndoshta
në këtë mënyrë do ta pastronte ndërgjegjen e tij nga deklaratat
skandaloze televizive lidhur me këtë rast?!
Nga aprovimi i burgosjes për ‘terrorizëm’, shqiptarëve të Shkupit Dardan
iu mvesh nje njollë, ndërsa Bujar Osmani u shpërblye nga Nikolla
Gruevski dhe të njëjtit i lulëzoi karriera politike plot 11 vite në
poste të larta ministrore në pushtetin qendror.
Pyetje logjike: PËR CILAT AGJENDA PUNOI DHE PSE APROVOI RASTIN IDENTIK
SIÇ E APROVOI MILOSHEVIQI VITEVE TË 90-TA RASTIN ‘PANDA’ NË PEJË KU U
VRANË FËMIJË NGA FORCAT SERBE DHE UA MVESHËN SHQIPTARËVE?!
Une dhe familja ime kemi dhene dhe japim mirenjohje publike cdo
qytetari, cdo aktivisti, mediave, ambasadave dhe cdokujt qe ka dhene
kontribut ne forma te ndryshme per familjen time dhe per shqiptaret e
maqedonise.
Por, sot dua ta e pyes publikisht Bujar Osmanin:
13 vite më vonë, cili është qëndrimi yt për rastin e montuar ‘Monstra’?
13 vite më vonë, a ndjen ti dhe shokët e tu qoftë një pikë pendimi për
rolin që keni luajtur lidhur me rastin e montuar ‘Monstra’?
13 vite më vonë, a të han ndërgjegja për faktin se deklarimet e tua të
porositura për ruajtje të kolltukut kanë shkatërruar jetët e shumë
njerëzve, shumë familjeve?
13 vite më vonë, a do të kërkosh falje publike për atë që ke bërë e
thënë?
Këto janë pyetjet që kërkojnë një përgjigje nga ti, Bujar Osmani. Sepse
ky rast i montuar politik është në fakt goditja më e rëndë që ndonjë
shtet mund t’ia bëjë dinjitetit të një populli.
E vërteta për Bujar Osmanin dhe Ali Ahmetin të nderuar vëllezër e motra
janë aprovimi i rasteve të montuara!