Kina po akuzon Shtetet e Bashkuara për përhapje të dezinformatave mes njoftimeve se administrata e Presidentit Biden po bën thirrje që pronarët kinezë të kompanisë TikTok të shesin aksionet e filialit amerikan të kompanisë. Deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Kinës janë një përgjigje tjetër ndaj përpjekjeve që po bëhen në Shtetet e Bashkuara për të kufizuar ndikimin e aplikacionit.
TikTok sërish hodhi poshtë pretendimet se kompania e saj mëmë kineze, ByteDance, po ndan të dhënat e përdoruesve të aplikacionit të saj me qeverinë kineze, ose se po përhap propagandë dhe dezinformim në emër të saj.
Ministria e Jashtme e Kinës akuzoi të mërkurën Shtetet e Bashkuara për përhapjen e dezinformatave në lidhje me rreziqet e mundshme të sigurisë nga përdorimi i aplikacionit TikTok, pas një njoftimi në gazetën Wall Street Journal se Komisioni amerikan për Investimet e Huaja, i cili është pjesë e Departamentit të Thesarit, ka kërcënuar se do të ndalojë përdorimin e aplikacionit në Shtetet e Bashkuara, nëse pronarët e saj kinezë nuk heqin dorë nga aksionet e tyre për filiain amerikan të kompanisë.
Pra, a janë reale rreziqet ndaj sigurisë së të dhënave? Dhe a duhet të shqetësohen përdoruesit se aplikacioni TikTok do të fshihet nga telefonat e tyre?
Ja çfarë duhet të dini:
A JANË LEGJITIME RREZIQET E SIGURISË?
Varet se kë pyet.
Disa aktivistë të mbrojtjes së privatësisë në platformat e teknologjisë thonë se ndonëse abuzimi i mundshëm i privatësisë nga qeveria kineze është shqetësues, kompani të tjera të teknologjisë kanë praktika biznesi të grumbullimit të të dhënave që shfrytëzojnë gjithashtu informacionin e përdoruesit.
“Nëse politikëbërësit duan të mbrojnë amerikanët nga survejimi, ata duhet të mbështesin një ligj bazë të privatësisë që ndalon të gjitha kompanitë të mbledhin kaq shumë të dhëna të ndjeshme rreth nesh në radhë të parë, në vend që të angazhohen në atë që duket si një shfaqje ksenofobike që nuk bën asgjë për mbrojtjen e përdoruesve”, thotë Evan Greer, drejtor i organizatës jofitimprurëse “Fight for the Future”.
Karim Farhat, një studiues në Projektin Qeverisja e Internetit në Universitetin “Georgia Tech”, thotë se shitja e TikTok-ut do të ishte “tërësisht e parëndësishme sa i përket kërcënimeve të supozuara të ‘sigurisë kombëtare’ ” dhe do të ishte kundër “çdo parimi dhe norme të tregut të lirë” të Departamentit të Shtetit mbi parimet e lirisë së internetit.
Të tjerë thonë se ka arsye legjitime për shqetësim.
Njerëzit që përdorin TikTok-un mund të mendojnë se nuk po bëjnë asgjë që mund të jetë në interes të një qeverie të huaj, por nuk është gjithmonë kështu, thotë Anton Dahbura, drejtor ekzekutiv i Institutit të Sigurisë së Informacionit në Universitetin Johns Hopkins. Informacioni i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara nuk kufizohet rreptësisht në termocentralet bërthamore ose objektet ushtarake, ai shtrihet në sektorë të tjerë, si përpunimi i ushqimit, industria e financave dhe universitetet, shtoi ai.
A KA PRECEDENTË PËR NDALIMIN E KOMPANIVE TEKNOLOGJIKE?
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndaluan shitjen e pajisjeve të komunikimit, të prodhuara nga kompanitë kineze Huawei dhe ZTE, duke përmendur rreziqet ndaj sigurisë kombëtare. Por ndalimi i shitjes së pajisjeve është më i lehtë sesa ndalimi i një aplikacioni, në të cilin përdoruesit mund të kenë qasje përmes internetit.
Disa organizata të mbrojtjes së lirive civile kanë thënë se një vendim i tillë mund të përfundojë në gjykatat e vendit me arsyetimin se mund të përbëjë shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes./ VOA