Çarshia e Vjetër në Shkup duhet të jetë një vend që rrëfen historinë e qytetit dhe ku banorët e Shkupit, por edhe turistët, mund të shijojnë kulturën gastronomike dhe zejtarinë. Ky është vizioni i arkitektit botërisht të njohur, Michel Rojkind, për zhvillimin e një prej pjesëve më të rëndësishme të kryeqytetit, por edhe të Çairit, në kompetencën e të cilit ndodhet Çarshia e Vjetër.
Rojkind ka përgatitur një plan për zhvillimin e Çarshisë dhe të Çairit si pjesë e ekipit të kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani.
„Keni një Çarshi të shkëlqyer. Ajo mund të bëhet vend ku kemi punëtorët më të kualifikuar në përpunimin e metaleve ose të drurit. Si t’i bëjmë çarshitë e vjetra të shndërrohen në vende ku gjithmonë rrëfehet historia? Po sikur të fillojmë ta pastrojmë Çarshinë dhe të gjejmë të gjitha fotografitë e vjetra mbi bazën e të cilave do ta kthejmë në formën e saj origjinale“, propozoi Rojkind në prezantimin e planit të tij për të ardhmen e Çairit „Vizion Çair 2040“.
Ai theksoi se nëse historia dhe tradita nuk ruhen, ato do të harrohen.
Osmani theksoi se, kur bëhet fjalë për historinë dhe kulturën, nuk nevojiten forma të reja dhe inovative, por një ide e mirë për ruajtjen e traditës, e cila do t’u prezantohet pronarëve të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër.
„Një shembull i shkëlqyer për këtë është çarshia në Gjirokastër: njerëzit fillimisht iu kundërvunë atyre ndryshimeve, por më pas, kur fluksi i turistëve u rrit tre-katër herë, ata e kuptuan se sa shumë kishin fituar prej saj“, tha Osmani.