Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim dhe të marrin përgjegjësi për të ardhmen e qytetit.
Në mesazhin e tij drejtuar opinionit publik, Rexhepi theksoi se katër vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për Tetovën, e cila, sipas tij, është përballur me keqmenaxhim të theksuar dhe mungesë transparence.
“Katër vitet e kaluara, Tetova u vodh në mënyrë të tmerrshme dhe të pamëshirshme. Komuna jonë nuk mund të përballojë edhe një mandat tjetër të tillë keqmenaxhimi,” deklaroi Rexhepi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i japin besimin për të nisur, siç tha, një “rilindje të vërtetë të Tetovës”, duke e kthyer komunën në shërbim të qytetarit dhe jo të interesave të ngushta politike.
Sipas Rexhepit, qëllimi i tij është krijimi i një administrate transparente, efikase dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.










