Real Madrid dhe promovuesit e Super Ligës Europiane po planifikojnë që të kërkojnë më shumë se 4 miliardë euro dëmshpërblim nga UEFA, të cilën e akuzojnë se ka bllokuar projektin për kompeticionin europian të futbollit.
Sipas AFP, pritet procedim juridik ndaj institucionit europian të futbollit.
Një gjykatë në Madrid vendosi se UEFA “abuzoi me pozitën e tij dominuese” duke u përpjekur të bllokojë krijimin e një Super Lige Evropiane në vitin 2021, duke i hapur rrugën A22 Sports Management dhe Los Blancos që të nisin procedurat ligjore.
Promovuesit e eventit sportiv, A22 Management, reaguan të gëzuar për “vendimin e tretë radhazi” në favor të tyre, duke e konsideruar “monopolin” e UEFA-s si “të paligjshëm” në sytë e drejtësisë evropiane.
Sipas tyre, institucioni i futbollit evropian shkaktoi “dëme të konsiderueshme për klube të shumta, lojtarë dhe aktorë të tjerë në ekosistemin e futbollit evropian”.
Pala paditëse ka shprehur keqardhjen që UEFA kishte “refuzuar të gjitha rrugët e kompromisit” dhe “reformat”, pavarësisht muajsh bisedimesh, dhe deklaroi se “nuk kishte opsion tjetër” veçse të “nisë procedurat për t’u kompensuar për dëmet e pësuara”.
Por zbatimi i vendimit të gjykatës spanjolle është i pasigurt, pasi ai sanksionon rregulloret e UEFA-s që ishin në fuqi në 2021, kur u hap ky proces.
Por UEFA ndryshoi rregulloren në vitin pasardhës, duke e komplikuar vendimin final nga ana juridike.
 
 










