Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të pezullojë përkohësisht nga detyra prokurorin Beqë Shala, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se ndaj tij është iniciuar një hetim penal.
Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, do të mbetet i pezulluar deri në përfundimin e procedurës penale ose deri në një vendim të ri të Këshillit.
KPK thekson se vendimi synon të sigurojë paanshmërinë dhe integritetin e procedurës hetimore, si dhe të ruajë besimin e publikut në sistemin prokurorial të Kosovës.










