Prokurori që u kap duke marrë ryshfet, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë, shkruan Insjaderi.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ai është ndaluar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Shala është arrestuar të hënën në vendin e punës, në zyrat e prokurorisë në Prizren.
Më pas, njësitë hetuese kanë bastisur shtëpinë e tij ku kanë sekuestruar prova materiale.
Njoftimi i plotë:
I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale.
Prokuroria Speciale, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, rithekson përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale korruptive.










