Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka thënë se projektin e “Botës serbe”, institucionet evropiane duhet ta marrin seriozisht.
Në një prononcim për agjencinë bullgare të lajmeve BGNES, ai ka thënë se kjo çështje është jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për vendin e tij.
“Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë dhe e gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është përqendruar atje”, tha presidenti bullgar Radev në lidhje me paralajmërimet e BE-së për rreziqet që paraqet projekti “Bota serbe” dhe se si kjo iniciativë nga Beogradi ndikon në sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Unë besoj se është koha e duhur që të gjitha institucionet evropiane ta marrin këtë çështje shumë më seriozisht. Është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne”, shtoi Radev.
BGNES shkruan se “Bota serbe” është emri i ri për projektin “Serbia e madhe” dhe se qëllimi i tij është të vendosë kontroll mbi vendet fqinje, duke përfshirë edhe përmes përfshirjes në Serbi të territoreve nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Instrumenti kryesor për realizimin e tij, sipas BGNES, është Kisha Ortodokse Serbe. /Klankosova.tv










