Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se prej nesër fillon aplikimi për realizimin e të drejtës për shujtë të subvencionuar për studentë për vitin akademik 2025-2026.
Në thirrjen e publikuar nga MASH janë bërë të ditura kushtet dhe mënyra e aplikimit.
Afati për aplikim për studentët që vijojnë studimet dhe studentët që do të marrin statusin e studentëve në vitin akademik 2025/2026 është deri më 5 shtator 2025.
Mbështetja financiare në vlerë prej 140 denarë është e dedikuar për blerje të ushqimit, ndërsa studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te persona juridikë të cilët prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim. Kompensimi në të holla nuk është paraparë të paguhet në periudhën e pushimit veror nga 1 korriku deri më 1 tetor.
Aplikimi bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk/, ndërsa në thirrje mund të paraqiten të gjithë studentët e rregullt të regjistruar në ciklin e parë, gjegjësisht ciklin e dytë të studimeve, si dhe në studime të integruara në universitetet publike dhe private në shtet. Aplikuesit duhet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të mos kenë të ardhura mujore në çfarëdo baze më e madhe se neto-paga minimale në vitin aktual.
Gjatë parashtrimit të aplikimit, studentët kanë për detyrë të dorëzojnë formularët të plotësuar dhe të nënshkruar Fletëparaqitje për marrjen e të drejtës së shujtës së subvencionuar për studentë dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të shënuara në formular për marrjen e të drejtës së shujtës së subvencionuar për studentë. MASH në rrugë zyrtare i siguron të gjitha dëshmitë e tjera për plotësimin e kushteve, të cilat i posedojnë MPB, DAP dhe shërbimet për studentë të fakulteteve.
“Secili aplikues i cili ka nevojë për ndihmë gjatë aplikimit për realizimin e të drejtës së shujtës së subvencionuar për studentë, mund të paraqitet në Sektorin për Standard të Nxënësve dhe Studentëve përmes këtij kontakti: subvencioniran.obrok@mon.gov.mk”, bën të ditur MASH.
Për realizimin e pagesave për shujtë të subvencionuar për studentë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhi marrëveshje me Shparkase Bank SHA Shkup. Të gjithë studentët të cilët do të fitojnë këtë të drejtë, për çka do të njoftohen nga MASH në rrugë elektronike, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Shparkase Bank për hapjen e llogarisë së posaçme, në lidhje me kartelën për pagesa.
“Mundësia për aplikim për realizimin e të drejtës së shujtës së subvencionuar për studentë do të jetë e hapur në periudhën nga data 1 deri në datën 5 çdo muaj të vitit akademik 2025/2026 edhe atë për paraqitje të studentëve të cilët nuk e kanë realizuar të drejtën e shujtës së subvencionuar për studentë pas Thirrjes publike ose e drejta e të cilëve është ndërprerë për shkak të mospërmbushjes së ndonjë kriteri, atëherë kur përsëri do t’i përmbushin”, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.