Forumi i Prespës për Dialog në panelin kryesor me shefat e shteteve dhe qeverive, pjesëmarrësve të tjerë evropian dhe ndërkombëtar. Pati në fokus pagën dhe demokracinë, në vend të autokracisë dhe luftës. Përfaqësuesit e rajonit njëzëri u dakorduan se paqja në Ballkanin Perëndimor sigurohet vetëm në kuadër të përfshirjes së saj në strukturat euro-atlantike. Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut thonë se mungesa e këtij hapi rrezikon depërtimin e forcave të treta në këtë pjesë të Evropës.
“Lufta sigurisht që e vuri fokusin te gjeopolitika, por nuk jam i sigurt se e ktheu fare fokusin te demokracia, të paktën në kontinent. Për mendimin tim, lufta në Ukrainë u shkaktua nga mendimi dhe dëshira që të kthehet aleanca e mëparshme, sepse në thelb kjo është luftë për territor. BE-ja për mendimin tim nuk e shqyrton këtë dikotomi siç është emërtuar ky panel i demokracisë kundër autokracisë dhe pajtohem që shumë studiues, institucione dhe praktikues me vite kanë dokumentuar ngecjen e pjesëve të ndryshme të kontinentit dhe të gjithë botës drejt autokracisë, por kjo nuk është e lidhur me luftën në Ukrainë”, theksoi presidenti Pendarovski.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe unë si Kryeministër po punojmë me fokus të fortë në përparimin e mëtutjeshëm të vendit tonë në rrugën evropiane. Aktivitetet tona të intensifikuara aktuale për bashkimin politik dhe marrjen e vendimeve të nevojshme në Kuvend janë në atë drejtim. Maqedonia e Veriut ka qenë gjithmonë shembull i një demokracie dhe shoqërie të suksesshme multietnike për të gjithë qytetarët që kanë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta para Kushtetutës dhe ligjeve. Me vendosjen e komuniteteve të tjera etnike në Kushtetutën tonë, duke përfshirë edhe anëtarët e komunitetit malazez në Maqedoninë e Veriut, ne dëshmojmë se jemi Evropa në miniaturë dhe një vend që vazhdimisht respekton vlerat evropiane, prandaj tashmë e meriton të jetë pjesë e Evropës”, tha kryeministri Kovaçevski.
Siguria rajonale, sidomos tani me tensionimin e veriut të Kosovës kërkon angazhim dhe masa të përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare, thanë panelistët. Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi edhe niëherë lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia, ndërkaq potencon njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë De facto, si kusht që dy shtetet fqinje të gjejnë stabilitet.
“Dua që fillimisht ta falënderoj stejt-departamentin amerikan që kërkoi lirimin e mënjëhershëm të tre policëve tanë pa asnjë kush. Ne presim që faktori ndërkombëtar ta gjykojë agresionin serb ndaj Kosovës. Kosova ushtrinë e saj nuk mund ta dërgojë përtej lumit Ibër, në baz të Marrëveshjes në mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, por pjesa e veriut të Mitrovicës nuk mund të mbetet pa kontroll. Arrestimi i policëve Kosovarë ka ndodhë në të njëjtin moment kur presidenti Serb Vuçiq ishte në ambasadën ruse, dhe unë them se ai e ka përgatitur gjithë këtë, sepse ai fuqishëm dëshiron që të krijohet një republikë serbe në Kosovë. Neve na duhet BE-ja, prandaj zgjërimi i saj është i nevojshëm.”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Edhe presidenti į Shqipërisë, Bajram Begaj thotë se sfidat rajonale kërkojnë përpjekje dhe masa të përbashkëta me miqtë ndërkombëtar, përfshirë edhe në gjendjen aktuale te Kosovës.
“Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke. Askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm! Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre. Kemi krijuar shumë organizata e iniciativa rajonale në funksion të këtij qëllimi, por ende duket se jemi larg asaj që ne dëshirojmë: një rajon në paqe, një rajon të sigurt e një rajon të zhvilluar. Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.”, tha presidnet i Shqipërisë Bajram Begaj.
Ndërkohë nga aleanca veriatlantike garantojnë sigurinë e rajonit dhe potencojnë dërgimin e forcave shtesë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Presidentët e vendeve rajonale dhe te vendeve anëtare të BE-së në të njëjtën linjë se siguria dhe stabiliteti rajonal varet vetëm nga përshpejtimi i Ballkanit Perëndimor.