Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, në kuadër të kryesimit të Organizatës në vitin 2023, sot prezantoi iniciativën e re për themelimin e Qendrës së Ohrit për paqe dhe ndërmjetësim. Osmani theksoi se ideja është që kjo qendër të jetë shenjë dalluese e kryesimit tonë me OSBE-në, do të jetë e natyrës hulumtuese dhe nën patronazhin e Organizatës. Grupet e synimit që do të synojë Qendra do të jenë të rinjtë, gratë, diplomatët, komuniteti akademik dhe shoqëria civile.
“Të krijojmë një Qendër për Paqe dhe Ndërmjetësim, e cila në thelb do të jetë entiteti ynë nacional por nën kujdesin dhe ombrellën e OSBE-së, e cila do të punojë në kërkime, trajnime dhe shkëmbim përvojash në lidhje me zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Le të krijojmë një qendër në Ohër si produkt i partneritetit ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe OSBE-së, e cila do të tentojë të shndërrohet në qendër rajonale për paqen, ndërmjetësimin, zgjidhjen e konflikteve dhe forum për dialogun dhe hulumtimin rajonal të sigurisë, në kuadër të gjithë rajonit të OSBE-së”, tha Osmani.
Ideja është që të shfrytëzohen përvojat vendase dhe shembujt e suksesshëm që Qendra e Ohrit të bëhet rajonale por edhe një “qendër” në të gjithë rajonin e OSBE-së për kërkime, analiza, ndërmjetësim dhe rekomandime politike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. Qendra do të ofrojë këshilla, trajnime, politika dhe shërbime specifike për ndërmjetësimin dhe mbështetjen e proceseve të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që mund të jenë të natyrës së brendshme ose ndërshtetërore.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit, si dhe zbatimi i saj i vazhdueshëm që nga fillimi, ishte argument i fortë në dobi të Maqedonisë së Veriut, si dhe shembull i dinamikës pozitive ballkanike edhe në një periudhë dhe rajon të turbullt politike. Përvoja jonë ka ofruar gjithashtu një kontrast të dukshëm me marrëveshjet e tjera për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan, nëse aktorët vendas janë të përkushtuar dhe bashkësia ndërkombëtare reagon me shpejtësi. Shembulli i dytë më konkret i “zgjidhjes së mosmarrëveshjeve” të suksesshme me një interes dhe iniciativë të theksuar të brendshme. Fakti që disa vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, marrëdhëniet dypalëshe mes dy fqinjëve janë në ngritje dhe kanë mundësuar rritjen e bashkëpunimit tregtar, mbrojtës, ndërkomunal dhe ekonomik, tregon gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka përvoja të dobishme dhe mësime të nxjerra që mund t’u ofrojë fqinjëve, por edhe vendeve të rajonit më të gjerë të OSBE-së”, tha Kryesuesi i OSBE-së, Osmani.
Si shembull pozitiv dhe i rëndësishëm, Kryesuesi i OSBE-së theksoi rolin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, e cila ishte nikoqire e dialogut të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të mbajtur në Ohër në mars të këtij viti.
Me themelimin e Qendrës së Ohrit, do të theksohet rëndësia e Organizatës në kohë konfliktesh serioze në Europë, të shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe aftësia e OSBE-së për të krijuar më tej mekanizma shtesë që synojnë zgjidhjen e konflikteve.
Planifikohet që Qendra e Ohrit të jetë mjet shtesë në kutinë e veglave të Organizatës që do të ketë zhvillim gradual, që do të thotë se do të fillojë me një ekip të vogël, i cili më pas do të forcohet me synimin që në të ardhmen të rritet në një qendër më të madhe në rajonin e OSBE-së.
Struktura e propozuar nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, nuk është e panjohur për Organizatën. Shembuj të tillë pozitivë të OSBE-së janë Akademia në Bishkek, si dhe Kolegji për Trajnimin e Personelit të Menaxhimit Kufitar në Dushanbe me përvojë shumëvjeçare dhe funksionim të suksesshëm.