Nga: Alpin Ollogu
Më 13 Gusht të vitit 2001, në qytetin e Ohrit, aparati shtetëror e ushtarak i Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut), përfaqësuar nga politikat diskriminuese dhe dhuna sistematike ndaj etnisë autoktone shqiptare, “de fakto” u dorëzua në përballjen e armatosur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ushtri e dalë nga revolta popullore. Ndërsa “de jure”, aparati shtetëror e ushtarak maqedonas nënshkruajti kontratën e dorëzimit me palën shqiptare, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
Me kontratën e Marrëveshjes së Ohrit, që ka edhe karakter ndërkombëtar, nënshkruar nga negociatori i deleguar amerikan Xhejms Perdju dhe të Bashkimit Evropian / Kombeve të Bashkuara, Fransoa Leotar, palët dakordohen që të kontraktojnë kryesisht arritjen e barazisë së plotë të shqiptarëve (ata që përbëjnë më së paku 20% të popullsisë) dhe maqedonasve. Shqiptarët si palë kontraktuese, në shkëmbim të barazisë së plotë me etninë maqedonase, ulin dhe dorëzojnë armët, ndalojnë veprimin e mëtejshëm ushtarak, i cili me të gjitha gjasat, në zgjatjen e mundshme të konfliktit të armatosur nw një luftë ndëretnike, për nga përvoja ushtarake (e luftës së Kosovës), për nga mbështetja financiare (diaspora), për nga lëvizja e ushtarëve dhe armatimit (nga Republika e Kosovës dhe Shqipërisë), si dhe më esencialja, për nga motivi luftarak (e një kryengritjeje për dinjitetin njerëzor e jetës së lirë dhe barazisë) do ta bënte të dorëzohej aparatin shtetërore – ushtarak maqedonas, në çdo qytet të saj ku shqiptarët janë me përqindje të konsiderushme, përfshirë qytetin e Shkupit. Dorëzim i cili nënkuptonte marrjen e territoreve – zona të lira, shkëputjen e tyre nga Maqedonia lindore, pavarësinë territoriale e krijimit të kushteve për një shtet të ri shqiptar në Ballkan, që më vonë me një referendum ndërshtetëror mund ti bashkangjitej shtetit amë kombëtar – Republikës së Shqipërisë. Kujtojmë që në atë kohë, edhe Akademia e Shkencave të Maqedonisë, e përbërë e gjitha nga maqedonas etnik, doli me propozime për ndarje territoriale.
Shqiptarët e përfaqsuar nga UÇK-ja, edhe pse fillimisht veshën uniformat ushtarake për ndarje territoriale, ngase me të drejtë, prej dhunës sistematike, diskriminimit të lirive dhe të drejtave njerëzore prej aparatit shtetëroro-policor maqedonas, si dhe trashëgimia maqedonase e strukturave udhëheqëse e dalë nga regjimi diktatorial dhe gjenoicidal sërb, e kishin humbur besimin se mund të bashkëjetohet në një shtet me etninë maqedonase. Por, me bindjen dhe garancinë e faktorit ndërkombëtar, shqiptarët ndaluan pushkët, zhveshën uniformat, e ndoqën rrugën e mos-shkatërrimit të sovranitetit territoral shtetëror, duke nënshkruajtur në qytetin e Ohrit kontratën e bashkëjetesës dhe shtetndërtimit me maqedonasit, Marrëveshjen e Ohrit, e që padyshim pika më esenciale e saj, mbetet statusi i gjuhës shqipe, si elementi kryesor identitar etnik.
Në kontratën mes dy etnive më tw mëdha, në pikën 6 të saj, gjuha shqipe merr statusin e gjuhës zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore. Pastaj me ndryshimet kushtetuese si rrjedhojë e Marrwveshjes së Ohrit, në nenin 7 të aktit më të lartë juridik, thuhet: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare”.
Me zvarritje e pengesa të shumta, në 4 Gusht të vitit 2008, 7 vite mbas Marrëveshjes së Ohrit, në zbatim të plotë të Kushtetutës, u miratua ligji i parë për përdorimin e gjuhëve, në të cilin gjuha shqipe e cila është gjuha e atyre që flasin më së paku 20% e qytetarëve, definohet si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë si dhe ne vetëqeverisjen lokale. Ndërsa në vitin 2011 u bë një ndryshim plotësim në të njejtin ligj. Por, pengesat e zbatimit të përdorimit të gjuhës shqipe në organet shtetërore vazhduan edhe më tej, në paqartësinë, pengesat dhe polemikat se ku dhe në çfarë niveli duhej folur gjuha shqipe në organet shtetërore, apo gjuha e atyre që janë me së paku 20% e pupullsisë. Andaj, në rrethanat e një klime qeveritare më demokratike dhe ligjzbatuese, më 14.03.2018 u miratua Ligj i ri për përdorimin e gjuhëve, ndërsa më 14 Janar të vitit 2019, i njëjti hyri në fuqi. Lligj në të cilën definohet qartë se ku dhe në çfarë nivelesh mundësohet përdorimi i gjuhës shqipe (e mbi 20%) edhe kjo në përputhje me aktin më të lartë juridik, Kushtetutën.
Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve miratuar në vitin 2019, përmbajten e saj, qeveria Zaev e dërgoi për mendim në Komisionin e Venecias, për atë se a është ligji në përputhje me standartet europiane dhe me principet e sundimit të së drejtës. Komisioni i Venecias dha mendime duke bërë vërejtje në tre pika kryesore të ligjit, ndër të tjerash dhe që në fakt është “thembra e akilit” e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë shtet, është zbatimi i dygjuhësisë në proceset gjyqësore, civile dhe penale. Në konkluzionet e Komisionit të Venecias ndër të tjerash thuhet: “Ligji në mënyrë të theksuar avancon përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, në organet publike. Por, në fusha të caktuara, ligji shkon shumë larg duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore. Obligimet janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar”.
Nxitur nga konkluzionet e Komisionit të Venecias, dëshirave të dukshme të disa qarqeve maqedonase kundër gjuhës shqipe, po në vitin 2019, nga partia e Majta e Apasievit, ligji i ri për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së saj. Tani, gati 5 vite pas kësaj nisme, Gjykata kushtetuese (në përberjë me shumicë maqedonase) e trimëruar me krijimin e një klime qeverisëse ku faktori politik maqedonas është më i fuqishëm për nga vota elektorale dhe fuqia parlamentare, e futi në rend dite shqyrtimin e ligjit, e këto dite pritet edhe vendimi i saj. Gjithsesi, nuk përjashtohet pjesa e fajësisë së faktorit politik shqiptar në qeverisjen e kaluar Zaev, për të bërë presion më të fuqishëm në forma politike dhe influencë te gjykatësit (siç bëhet rëndom për çwshtje të interesit madhor shtetëror), që Gjykata Kushtetuese të kishte vendosur që atëherë për kushtetutshmërinë e ligjit, domethënë të kishte dhënë gjykimin se ligji është në përputhje me Kushtetutën, ashtu siç është në të vërtetë, me çdo intepretim objektiv dhe profesional të tij, pa u ndikuar nga motive politike dhe nacionaliste.
Prandaj vendimi që pritet të sjellë Gjykata Kushtetutese, padyshim është thikë me dy tehe, i cili në çdo rast, në periudhë afashkurtër apo afagjatë, do të godasë “thembrën e akilit” – organzimin shtetëror e politik të vendit. Pse? Sepse, nëse Gjykata Kushtetuese do të shfuqizojë ligjin, ose vetëm në tre pikat që ka dhënë vërejtje Komisioni i Venecias, ose vetem për zbatimin e ligjit të gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore (gjuhë që përdorin më së paku 20% e qytetarëve), atëherw opozita shqiptare do ta problematizojë çështjen deri në kufijtë e tensioneve ndëretnike, duke siguruar kështu fuqi më të madhe politike për në zgjedhjet lokale dhe qëndrore dhe si rezultat i shfuqizimit të ligjit nga gjykata kushtetutese, kostoja elektorale do ti shkojë koalicionit shqiptar në qeverisje, me apo pa fajin e tyre.
Kështu, përgjegjësia e opozitës shqiptare, fituese e nesërme në zgjedhje dhe pjesë e negociatave për qeverinë e ardhshme, do të kushtëzojë me patjetër miratimit e një ligji të njejtë si në 2019. Në të kundërtën do të humbte kredon e saj politike afagjate ose ekzistenciale partiake. Këtij kushtëzimi për ligjin e përdorimit të gjuhëve, pwr interesa kombëtare apo partiake, do ti bashkangjiten të gjithë partitë politike shqiptare. Andaj çdo kundërshtimi nga pala maqedonase për të mos sjellë një ligj të ngjashëm, me padyshim do të krijonte tensione dhe konflike etnike deri ndoshta në një sistem të ri të organizimit shtetëror e politik.
Edhe nëse ligji mbetet në fuqi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dmth të vendoset se i njëjti është në përputhje me kushtetutën, ai përsëri është thikë që do të godasë me patjetër “thembrën e akilit” – organizimin shtetëror e politik të Maqedonisë së Veriut. Në këtë rrethanë, shqiptarët si kategori e jo më pak se 20%, do të motivohen dhe trimërohen nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ligjin të fillojnë ta zbatojnë veçanërisht në procedurat gjyqësore, penale dhe civile. Që do të thotë se gjykatësi shqiptar do të mund të zhvillojë seancat gjyqësore në gjuhën shqipe, prokurori shqiptar të ngrejë akuzat dhe procedurën penale ta zhvillojë në gjuhën shqipe. Të gjitha faktet, dëshmitë, ekspertizat gjyqësore, i gjithë dokumentacioni do duhet të jetë në gjuhën shqipe, përkthyer dhe interpretuar në mënyrë të saktë juridike. Si rrjedhojë e ligjit, provimi i jurisprudencës, noterisë, Akademia për Gjykatës dhe Prokuror, pranimi, trajnimi, ligjerimet dhe provimet, të zhvillohen të gjitha në gjuhën shqipe.
Me një fjalë, e gjitha kjo është e pamundur të ndodhë nga aspekti teknik, profesional e financiar (për të cilin ka dhënë vërejtje edhe Komisioni i Venecias), sepse realisht do të shkaktonte bllokim total të gjyqësorit. Që do të thotë se për zbatimin real të këtij ligji për përdorimin e gjuhëve, do të duhet të gjendet model i ri i organizimit shtetëror, një formë federalizimi që gjykatat të ndahen në territore të caktuara ku do të flitet vetëm njëra prej gjuhëve dhe kjo në varësi të përbërjes etnike të popullsisë në ato territore. Kjo mund ti shuante njëherë e mirë të gjitha përplasjet e vazhdueshme shqiptaro-maqedonase, në shumë sfera tjera, me një rregullim shtetëror të pranueshëm nga të dyja palët, rregullim shtetëror të ndryshëm nga ai që kemi sot.
Ligji për përdorimin e gjuhëve rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit si dokument pajtimi mes palëve për të ekzistuar shteti që është sot në tërësinë e sovranitet territorial. Gjë e cila nuk mund të zhbëhet me taktizimet për zvarritje të miratimit dhe zbatimit të ligjit, kalim kohe ose arsyetime në pajtushmëri me legjislacionin e Bashkimit Evropian, sepse Marrëveshja e Ohrit është mbi të gjitha këto, zbatimi i saj është akt i ruajtjtes së sovraniteti territorial. Në të kundërt, me shkeljen e kësaj kontrate, ky shtet, “de fakto” dhe “de jure” nuk mund të ketë të ardhme të bashkëjetesës ndëretnike, shtetformuese e multietnike, nuk mund te këtë sovranitetin territorial që e ka sot. Me shkeljen dhe shfuqizimin e njëanshëm të kësaj kontrate nga Gjykata Kushtetuese me shumicë maqedonase, mosvënia në funksion e garancisë ndërkombëtare që u dha në vitin 2001, nuk mendoj dhe besoj që në të ardhmen shqiptarët do të kenë vullnet të nënshkrujnë kontrata të tjera si ajo e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, sepse do të humbasin përfundimisht besimin te pala maqedonase, por edhe te faktori ndërkombëtar.