Prokuroria Publike e Koçanit ka ngritur aktakuzë për tragjedinë në Koçan, ku nga zjarri në diskotekën Puls humbën jetën 59 persona, transmeton TV21.
Në aktakuzën, të cilën mund ta lexoni të plotë KËTU, bëhet e ditur edhe skema e krimit e cila ka siguruar marrjen e licencës edhe pse objekti ku ka vepruar diskoteka klub nuk ka pasur as leje për punë si kabare.
“Tre të dyshuar paraqiten si persona përgjegjës, bashkëpronar dhe udhëheqës për periudhën e caktuar në kompaninë, filiali i të cilës është Klubi. I pari nga ata është blerës i objektit ku është vendosur klubi, pronari real dhe bartës i të gjithë objektit dhe punës. Objekti me qëllim për industri të lehtë, i cili gjendet në zonë industriale, aspak nuk i ka plotësuar kushtet që të jetë i ridestinuar në objekt hotelerik – kabare në përputhje me Ligjin për veprimtari hotelerike. por në vazhdimësi gjatë gjithë kohës të dyshuarit kanë marrë licencën të jashtëligjshme dhe kanë organizuar shërbime hotelerike. Përgjatë kësaj, të gjithë e dinin dhe kanë qenë të vetëdijshëm se klubi nuk i përmbush kushtet e parapara ligjore dhe mënyrën për kryerjen e veprimtarisë hotelerike. Në këtë kontekst, ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari i parë gjatë periudhës prej 13.03.2024 deri 13.02.2025 drejtpërdrejt personit zyrtar të dyshuar, i punësuar në Ministrinë e Ekonomisë, i ka dhënë para që të kryejë veprimtari zyrtare të cilën nuk do të duhej ta kryente dhe në këtë mënyrë, përgjatë kësaj të realizohet ligjërisht procedura, ka siguruar dokument zyrtar të falsifikuar – licencë për kryerjen e veprimtarisë hotelerike. Për shkak të kësaj, kundër të punësuarit në Ministrinë për Ekonomi është zbatuar procedurë dhe për – Pranim të ryshfetit në bazë të nenit 357 të Kodit Penal”, thuhet më tej në njoftim.
Nga Prokuroria kanë njoftuar po ashtu se njëra nga të dyshuarit është edhe pronare dhe udhëheqëse e kompanisë së dyshuar nga Koçani, e cila në vitin 2010 ka vepruar ndaj kërkesës së pronarit të dyshuar dhe i ka përgatitur projekt si kusht për fillimin e punimeve dhe kryerjen e veprimtarisë hotelerike – kabare, edhe pse e ka ditur se nuk ka ekzistuar bazë ligjore që objekti të ridestinohet nga kategoria industri e lehtë në objekt që kryen veprimtari hotelerike – kabare. Këtë projekt të jashtëligjshëm, pronari gjatë periudhës prej 2012 deri në vitin 2023 në vazhdimësi e ka shfrytëzuar jashtëligjshëm në drejtim të fitimit të licencës për kryerjen e veprimtarisë hotelerike. Në vitin 2023, ai është drejtuar deri te e dyshuari që ta kryejë korrigjimin e projektit bazë, kurse ajo, pa verifikuar në vendin e ngjarjes, jashtëligjshëm ka kryer ndryshim të kompanive në projektin bazë dhe me këtë ka mundësuar që kabare të parashtrojë kërkesë për licencë.
“Nga Ministria e Ekonomisë deri në këtë moment të dyshuar janë ish ministri, por edhe ish sekretari shtetëror, udhëheqësi i sektorit, udhëheqësi i departamentit dhe bashkëpunëtori i ri, të cilët edhe për momentin punojnë në Ministri por në pozita të tjera. Të gjithë ata me moskryerjen e detyrave zyrtare të cilat janë të obliguar që t’i kryejnë, nuk kanë vepruar në bazë të shkresave dhe rregulloreve teknike për masa për mbrojtje dhe kompanisë së dyshuar, e cila nuk i ka plotësuar kushtet e parapara dhe mënyrën për kryerjen e veprimtarisë hotelerike në disa raste me licenca i kanë mundësuar kryerjen e veprimtarisë hotelerike – kabare”, thuhet më tej në njoftim.
Të dyshuar janë edhe dy ish drejtorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe tre inspektorë, të cilët edhe pse kanë qenë të obliguar të kryejnë inspektime, nuk i kanë kryer dhe gjatë periudhës prej 09.01.2020 deri në 16.03.2025 në asnjë rast nuk i kanë kryer kontrollet ndaj punës së kompanisë që të verifikojnë a ka pasur licencë të vlefshme, qa i ka plotësuar kushtet e parapara minimale – teknike të parapara në kërkesën për Licencë për kryerjen e veprimtarisë hotelerike – kabare, dhe kushtet e tjera të parapara në përputhje me ligjin, me çka kanë mundësuar që Kabare Puls jashtëligjshëm të vazhdojë të kryejë veprimtari hotelerike.
Të dyshuar janë edhe tre kryetarët e Komunës së Koçanit, të cilët gjatë vitit 2021 deri më 16.03.2025, si dhe ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, pasi nuk i kanë kryer detyrimet zyrtare të parapara në Ligjin për mbrojtje dhe shpëtim, me çka kanë mundësuar që Kabare Puls jashtëligjshëm të vazhdojë të kryejë veprimtarinë hotelerike, në kundërshtim me Ligjin për veprimtari hotelerike dhe kushtet tjera të parapara në Ligj. Përgjatë kësaj periudhe, ka pranuar pagesa në bazë të kompensimit për objekt hotelerik. Sa i takon aktiviteteve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ministria për Punë të Brendshme vazhdon të kryejë kontrolle në drejtim të verifikimit të të gjitha lëshimeve gjatë gjithë periudhës së punës së klubit, transmeton TV21.