“Njeriu me 1000 fëmijë”, dokumentari më i ri që po frikëson botën

“Njeriu me 1000 fëmijë” është dokumentari me tre seri i sapo dalë në Netflix i cili po gozhdon pas ekraneve një botë të tërë.

Dokumentari flet për një njeri të gjatë, bukurosh, biond e me sy të kaltër i quajtur Jonathan Meijer, që për shumë holandezë të cilët dëshironin të bëheshin prindër, ishte si “Babagjyshi i Vitit të Ri”. Ai do të plotësonte dëshirën e shumë grave në vende të ndryshme të botës për t’u bërë nëna me anë të donacionit të spermës. Fillimisht Meijer e nisi këtë gjë me synimin për të plotësuar dëshirën e një pjese të vogël të familjeve në vendin ku jetonte, por kjo veprimtari e tij nga dita në ditë po merrte përmasa të frikshme.

“Njeriu me 1000 fëmijë” është një dokumentar me tre episode që merr përsipër të bëjë bashkë të gjithë rrugëtimin aspak normal të Meijer në disa vende dhe kontinente. Përveç 11 bankave të spermës në Holandë dhe donacioneve private, ai kishte dhuruar spermatozoidet në të gjithë globin.

 

Paramendo sa e frikshme mund të jetë që në vendin ku jeton, një pjesë të mirë të popullsisë t’i kesh gjysmë motra apo gjysmë vëllezër.

Dokumentari përveçse mori fjalën e përfaqësuesve të bankave të spermës, gjithashtu aty dëgjohen të shprehin mendimin e tyre edhe shumë nëna që praktikisht rrisin fëmijën e Jonathan Meijer. Kjo është një lumturi për to sepse janë bërë nëna, por ushtrimi i dhurimit të spermës pa kriter të donatorit ka shkaktuar panik për sjelljen dhe aspektin psikologjik të gjithë këtyre fëmijëve.

Në dokumentarin “Njeriu me 1000 fëmijë”, thirrja për llogaridhënien e Meijer fillon kur një prind i një fëmije të ngjizur me ndihmën e holandezit, zbulon një numër të frikshëm gjysmë motrash e gjysmë vëllezërish të fëmijës së saj, që jetonin në të njëjtin qytet. Qendrën e Fertilitetit Isala, e cila ishte qendra ku Meijer ishte regjistruar për dhurimin e spermës, me kusht që nuk do të bashkëpunonte me asnjë qendër tjetër nëpër botë, aq më tepër privatisht me individët. Kjo qendër mori një email ku thuhej se deri në atë moment një donator i tyre kishte më shumë se 150 fëmijë në Holandë. Kjo pasi donatori e kishte thyer rregullin, kishte bashkëpunuar edhe me banka të tjera sperme dhe e kishte dhuruar atë në mënyrë të drejtpërdrejtë në familje të ndryshme.

 

Kush është Jonathan Jacob Meijer?

Kur komunikonte me prindërit e fëmijëve që do të mbesnin shtatzënë, ai paraqitej me disa emra si: Jacob, Ruud, Walter dhe Maarten. Ai prezantohej se punonte në arsim dhe se gjithashtu menaxhonte një kanal në youtube, ku fliste për kriptomonedhat, dietat e shëndetshme, etj. Kur veprimtaria e tij doli në dritë, të gjithë këto familje e kuptuan shkallën galopante të mashtrimit të Meijer.

Jonathan është shprehur se ai mund ta dallojë menjëherë nëse një fëmijë është i tij. Në momentin e lindjeve ai u kërkon nënave t’i dërgojnë nga një foto të fëmijëve.

Pse ka kufizime në dhurimin e spermës?

“Fëmijët që nuk janë rritur së bashku kanë më shumë gjasa të tërhiqen nga njëri-tjetri sepse shohin disa tipare të njohura në fytyrën e vëllait ose motrës,” thotë Natalie, një nënë e paraqitur në dokumentar. Kjo ndjenjë tërheqjeje mund të rezultojë në dashuri romantike, një fenomen i njohur si “kompleksi Luke dhe Leia”, i quajtur sipas personazheve në Star Wars. Siç shpjegohet nga embriologu klinik Dr. Max Curfs, ekzistojnë kufizime në dhurimin e spermës në mënyrë që fëmijët të mbrohen nga mundësitë për incest të padëshiruar.

“Çfarë ndodh psikologjikisht me këta fëmijë që kanë 700, 800, 900 vëllezër dhe motra?” pyet Kate, një nënë australiane që u lidh me Meijer përmes Cryos, banka më e madhe ndërkombëtare e spermës dhe vezëve në botë, me bazë në Danimarkë. “A do të jenë ata në gjendje psikologjikisht për t’u përballur me këtë informacion?”

“Njeriu me 1000 fëmijë”, dokumentari më i ri që

Sa fëmijë ka Jonathan Meijer?

Pavarësisht përpjekjeve të forta të familjeve për ta bërë Meijer të thoshte të vërtetën, ai vazhdoi të refuzonte të pranonte numrin e përgjithshëm të fëmijëve që kishte lindur. Wiley bën një supozim në serial: “Jonathan do të shkojë në Cryos, në Kopenhagë një herë në muaj për katër ditë, për katër vjet. Kjo përkthehet afërsisht 200 donacione, nga ku mund të merren rreth 15 mini shishe sperme për çdo derdhje. Nëse çdo mini shishe krijon një fëmijë, mund të jenë 3000 fëmijë të mundshëm,” shpjegon ajo.

“Kjo është vetëm një bankë sperme. Dhe ne e dimë se ai ishte në të paktën 11 banka sperme dhe po ashtu privatisht nëpër familje në mënyrë të pakontrolluar”, vazhdoi ajo./Living/

Next Post