Shkrimtarja dhe filozofja shqiptare me famë botërore Lea Ypi, sot në Universitetin e Tetovës realizoi një bashkëbisedim, mendim-nxitës dhe filozofik. Veç kësaj, ajo para auditorit prezantoi edhe librin e saj më të ri “Të lirë, të rritesh në fund të historisë”. Vlerësime për librin në fjalë dhanë Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe drejtorja e shtëpisë botuese “Dudaj”, zonja Arlinda Dudaj.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti u shpreh se, libri “Të lirë, të rritesh në fund të historisë” i mendimtares dhe filozofes Lea Ypi është një gërshetim mes një libri autobiografik dhe një eseje filozofike, duke shërbyer në një rol sa informativ dhe argëtues për lexuesin, po aq edhe edukues, siç edhe i drejtohet lexuesit universal, ku në qendër të tij qëndron një brez i tërë i përfaqësuar nga një fëmijë, Lea. “Në pjesën e parë, autorja me një mjeshtëri, nëpërmjet përjetimeve të saj na jep një tablo të gjerë të Shqipërisë gjatë viteve, që i kanë paraprirë rënies së komunizmit e deri në fillim të viteve 90. Një Shqipëri e izoluar, që i kishte shkëputur marrëdhëniet edhe me shtetet e tjera komuniste, duke ndjekur një rrugë të vetën, por që kontrollin autoritar ndaj shtetasve të tij vazhdonte ta ushtronte akoma edhe më shumë. Për ndryshim nga pjesa e parë, në pjesën e dytë përshkruhet Shqipëria e tranzicionit, ndoshta me dashje autorja e ka sjellë në formë pak më të trazuar. Përsëri mund të bëjmë një paralelizëm mes kalimit të personazhit kryesor nga fëmijëria në adoleshencë dhe transformimit të një vendit në kalimin e tij nga një vend diktatorial dhe socialist në një vend demokratik, një vend që nxitimthi kaloi në liberalizëm, pa i lënë kohë njerëzve t’i përtypnin të vërtetat e sapo shpalosura rreth një realitetit të ri që po shikonin pa filtrat dhe ngjyrat e vendosura nga sistemi. Libri është i ndarë në kapituj, ku në shumë prej tyre shpjegohen sipas mënyrës dhe gjuhës së thjeshtë të një fëmije, disa çështje të rëndësishme shoqërore, siç janë emigracioni, pabarazia gjinore, pabarazia shoqërore, shpërbërja e normave shoqërore, trafikimi i qenieve njerëzore, etj.”, theksoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Botuesja e librit, Arlinda Dudaj tha se, që nga momenti i parë që është ndeshur me këtë libër e ka vërtetuar se ky është libri që ajo e priste ta botonte në 30 vjet, sepse brenda tij është jeta e saj, dhe se është një libër që e prezanton plotësisht. “Është një libër që unë mendoj se duhet ta lexojë secili nga ne, për shumë arsye. Duket sikur është një vajzë e vogël që flet aty, por është një lum i madh idesh filozofike që përshkruhen përmes rrëfimit dhe arrin të depërtojë te çdokush që e lexon, dhe shpeshherë kur dëgjoj njerëz që kanë një mendim pa e lexuar arrij ta kuptoj menjëherë, sepse ky është një libër të prek dhe të futet në çdo qelizë të trupit. Është historia jonë, madje thuhet që nuk është vetëm historia e jonë, e shqiptarëve, por edhe e shumë vendeve që kanë kaluar sisteme mbase jo kaq të tmerrshme sa ky i yni, por diçka të ngjashme. Ky libër ka udhëtuar në 28 gjuhë dhe është i pakohë, do të lexohet gjithmonë dhe jam shumë e bindur për këtë”, potencoi mes tjerash botuesja e librit “Të Lirë”, Arlinda Dudaj.
Ndërsa autorja e librit, Lea Ypi u shpreh se ideja kryesore e këtij libri ka të bëjë me lirinë, pra të jesh i lirë do të thotë ta kërkosh lirinë dhe sipas autores, institucioni ynë është shëmbëlltyra dhe realizimi i kësaj ideje. “Fakti që ne jemi këtu sot dhe që kemi arritur të kemi një bashkëbisedim për lirinë, pavarësisht përpjekjeve, pavarësisht sakrificave, pavarësisht të gjitha atyre vështirësive që na kanë kushtuar aq shumë të gjithëve. Unë mendoj që është mënyra më e mirë për të përcjellë mesazhin kryesor të librit, që ne e kërkojmë lirinë, ndonjëherë e kërkojmë me sakrifica të jashtëzakonshme, e kërkojmë me gjak, e kërkojmë bashkërisht dhe e kërkojmë përmes dijes, sepse dija është armë dhe mendoj se kjo është njëra nga arsyet për të cilat dija luftohet me armë. Me armët e vërteta pasi është arma e vetme e jona e përbashkët që e kemi. Libri quhet “Të lirë”, çka do të thotë që liria është përjetimi subjektiv i këtij koncepti abstrakt. Këtë është përpjekur ta bëj libri, të flas për një koncept që duket shumë i vështirë, shumë abstrakt, ndonjëherë nuk kuptohet mirë se çfarë do të thotë, kur e kemi, kur nuk e kemi, por që në fakt na shfaqet gjithmonë përmes përjetimeve subjektive dhe që ne e kërkojmë gjithnjë duke krahasuar këto projektime subjektive”, tha ndër të tjera autorja e librit.
Lea Ypi është një prej figurave më kuptimplote e botës akademike shqiptare edhe pse funksionon jashtë botës shqiptare. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe profesoreshë e filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Evropian. Me studimet e saj ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Lea Ypi është zgjedhur ndër dhjetë mendimtarët më të mirë në botë, sipas Prospect Magazinë 2022. Ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuar, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princetonit, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit. Lea Ypi është bërë e njohur së fundi edhe si autore e një libri që del jashtë kornizave të profesionit të saj primar. Libri i saj autobiografik “Free”, ose në shqip “Të lirë”, ka zgjuar interesim të madh kudo ku është botuar dhe hedhur në treg. Libri është botuar në anglisht, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar lartë nga kritika ndërkombëtare.