Brukseli nuk heq dorë nga kërkesa për kompletimin e ndryshimeve kushtetuese që të hap kapitullin e parë negociues me Maqedoninë e Veriut. Këmbëngulja e radhës mësohet nga takimet e rëndësishme që ka zhvilluar ministri i jashtëm, Bujar Osmani në kryeqendrën e Evropës. Osmani thotë se shpalosja e amendamenteve pas kthimit të tij nga rrugëtimi jashtë shtetit kah fundi i majit, do të paraqesë kthesë në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Me të kuptuar thelbin e tekstit që do të futet në kushtetutë, qytetarët dhe deputetët do të reflektojnë pozitivisht, thotë Osmani.
“E vërteta do të shpaloset kur qytetarët do të lexojnë formulimet, atëherë të gjitha kullat e propagandës do të rrënohen dhe do të zhvishet procesi para qytetarëve dhe do të shohin se nuk ka asgjë kontroverse në këtë proces. Ky do të jetë momenti kyç në mbarë diskursin publik, i cili do të imponojë dinamikë të re në politikë, tek deputetët dhe partitë politike. Andaj, insistoj që të përmbyllet debati mbi formulime inekzistente, konsporacioneve, frikës.”, – deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani: Deputetët do të kontaktohen individualisht
Osmani nuk përjashton mundësinë që deputetët të kontaktohen veçmas për qëndrimin e tyre, pasi vetëm ashtu, sipas tij, vendimmarrja s’do të jetë e influencuar.
“Pjesa formale do të duhet të nis nga momenti i publikimit të amendamenteve, atëherë do të duhet të ulet edhe me deputetët, individualisht me çdonjërin prej tyre, edhe me partitë politike, që ta thonë se cili është problemi në ato formulime konkrete të amendamenteve. Deputetët nuk duhet të ngelin me fjalime të shkruara nga partitë, nëse është kundër do të duhet ta thotë përse është kundër dhe cila do të ishte alternativa.”, – theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Aktualisht komisioni i formuar për përpilimin e amendamenteve diskuton për përfshirjen e tre komuniteteve në kushtetutë, bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve. Por, sipas ministrit Osmanit, mbetet në dorën e tyre që të shtojë numrin e komuniteteve që do të jenë në kushtetutë, por jo edhe pjesët ku ato do të përfshihen.