Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar kundër dy personave, të dyshuar si bashkëveprues në kryerjen e veprës penale “Grabitje” sipas nenit 237 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Të dyshuarit janë arrestuar gjatë ditës së djeshme.
Sipas hetimeve, më 10 tetor 2025, ata së bashku me persona të tjerë ende të panjohur kanë hyrë në një argjendari në Gostivar dhe me forcë e kërcënim me armë zjarri kanë marrë 18 kilogramë ar. Dy të dyshuarit janë punonjës policie në Sektorin për Punë të Brendshme në Kërçovë, të cilët janë marrë vesh dhe kanë përgatitur planin për grabitje së bashku me personat e tjerë që ende janë në kërkim.
Ata kanë marrë pjesë në përgatitjet paraprake, duke bërë vëzhgime të vendndodhjes dhe të punës së argjendarisë dy ditë para grabitjes. Në ditën e ngjarjes, me një automjet zyrtar të MPB-së, kanë siguruar rrugën për dy automjetet e përdorura në grabitje në Gostivar – njëri prej të cilëve është gjetur i djegur në rrugën magjistrale Gostivar–Dibër, ndërsa tjetri është gjetur i braktisur në Kërçovë, afër tregut të bagëtive.
MPB në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit po ndërmerr masa dhe veprime për zbardhjen e plotë të rastit.









