Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit,
 z. Izet Mexhiti, sot ka parë nga afër punimet që po zhvillohen për
 rikonstruimin e rrugës “Banatska” në lagjen Tophanë.
Ky projekt, me një buxhet prej rreth 3 milionë denarësh, financohet nga
 thirrja e dytë e Qeverisë për mbështetje të komunave dhe ka për qëllim
 të sjellë ndryshime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve të
 Çairit.
Rruga do të asfaltohet tërësisht me bazament të përforcuar, çka do të
 garantojë qëndrueshmëri afatgjate, si dhe përmirësim të sistemit të
 kullimit për të shmangur dëmtimet nga reshjet. Po ashtu, qarkullimi do
 të riorganizohet në mënyrë që të rritet siguria dhe komoditeti për të
 gjithë përdoruesit.
Sipas z. Mexhiti, ky projekt nënkupton lëvizje më të lehtë, rrugë më të
 sigurta dhe infrastrukturë që zgjat, si pjesë e planit të gjerë të
 përmirësimit të infrastrukturës komunale në çdo lagje të Çairit.
“Çdo projekt që realizojmë ka një qëllim të qartë, t’i shërbejë
 qytetarit”, ka theksuar z. Mexhiti.












