Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet
 Mexhiti, gjatë një prezantimi publik sot në Çair, para qytetarëve dhe
 mediave, ka promovuar konceptin e ri për zhvillimin e sistemit
 parashkollor në komunë, duke theksuar se kapacitetet pritëse do të
 trefishohen në mandatin e ardhshëm përmes investimeve konkrete në
 infrastrukturë moderne dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.
“Çairi ka qenë gjithmonë simbol i rinisë, jetës dhe fillimeve të reja.
 Edhe sot, Çairi mburret me shkallën më të lartë të natalitetit në vend.
 Kjo është forca jonë, krenaria jonë, por mbi të gjitha, përgjegjësia
 jonë më e madhe”, u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se forca e një shoqërie nuk matet vetëm me numra, por me
 vlerat, dijen dhe urtësinë që transmetohet tek brezat e rinj, dhe për
 këtë arsye ka vendosur një prioritet të qartë: krijimin e një sistemi të
 arsimit dhe përkujdesjes që nis që në moshën më të hershme.
“Investimet e planifikuara janë Çerdhja Bambi, tashmë funksionale, me
 kapacitet prej 360 fëmijësh, aktualisht më e madhja në vend, çerdhja e
 re që do të ndërtihet nga e para në Fushë Tophanë “Borëbardha” që do të
 ketë kapacitet prej 300 fëmijësh dhe Çerdhja e re që gjithashtu
 ndërtihet nga e para ketu ‘Vesëza’ gjithashtu me kapacitet prej 300
 fëmijësh” tha Mexhiti.
Vetëm këto tre çerdhe të reja do të presin 1.000 parashkollorë nga 1100
 gjithjes që ka Çairi për momentin, në shtatë çerdhet ekzistuese në Çair.
“Kështu, po zgjidhim përfundimisht problemin e mungesës së vendeve në
 çerdhe. Çdo fëmijë në Çair do të ketë vendin e tij. Askush nuk do të
 mbetet jashtë”, deklaroi Mexhiti.
Koncepti për arsimin parashkollor në mandatin e ri të Mexhitit
 mbështetet në tri shtylla themelore:
Infrastrukturë moderne – me ambiente të sigurta, të përshtatshme dhe
 stimuluese;
 Barazi dhe përfshirje – me klasë të dedikuara edhe për fëmijët me
 autizëm dhe nevoja të veçanta, staf i motivuar dhe profesionist –
 edukatorë që punojnë me përkushtim dhe dashuri për çdo fëmijë.
Në fund të fjalës së tij, Mexhiti e cilësoi këtë si një investim
 afatgjatë në kapitalin njerëzor dhe një hap konkret për një të ardhme më
 të mirë për familjet në Çair.









