Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Çairit nga radhët e koalicionit
qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së rëndë
me mbeturinat që ka përfshirë kryeqytetin, duke e cilësuar Shkupin si
“pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale”.
Sipas Mexhitit, qyteti është katandisur në një gjendje alarmante, me
rrugë, lagje dhe hapësira publike të mbushura me mbeturina, për shkak të
mosmenaxhimit të duhur nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale –
Shkup”, e cila, siç theksoi ai, aktualisht drejtohet nga koalicioni BDI
– Danella – Levica.
“Menaxhimi i mbeturinave komunale në Shkup është bërë simbol i kaosit
dhe papastërtisë. Këta mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën
që ka pushtuar qytetin,” ka shkruar Mexhiti në profilin e tij në
facebook.
Në reagimin e tij, Mexhiti gjithashtu ka njoftuar se Qeveria e
Republikës së Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të
jashtëzakonshme ndaj mënyrës së mbledhjes dhe transportit të mbeturinave
në territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të rrezikut që kjo gjendje
paraqet për shëndetin publik.
Ai shtoi se do të kryhet edhe kontroll i detajuar mbi punën e “Higjienës
Komunale – Shkup”, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të ndërmerren
masa konkrete për pastrimin e qytetit.
“Nuk do të rrimë duarkryq. Shumë shpejt do të ndërmarrim aksion të plotë
për pastrimin e qytetit, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti,
dinjitet dhe një administratë që punon për ta,” ka përfunduar Mexhiti.