Në një organizim solemn të mbajtur në Klubin e Deputetëve në Shkup, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nën patronazhin e Zëvendëskryeministrit të parë të Izet Mexhiti shënoi sot 24-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokumenti historik që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e bashkëjetesës ndëretnike në vend.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, e cilësoi Marrëveshjen si “një akt vizionar dhe një kontratë historike” ndërmjet të gjitha bashkësive etnike të vendit. Ai theksoi se gushti mban simbolikë të veçantë për shtetndërtimin modern, duke përfshirë edhe Ilindenin, dhe se këto data nuk duhet të mbeten vetëm në kalendar, por në ndërgjegjen kolektive.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument politik, por një udhërrëfyes për të ardhmen. Ajo na mëson se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë institucione funksionale dhe një shtet që i shërben qytetarit,” deklaroi Mexhiti.
Ai nënvizoi se shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë e tjera nuk janë thjesht pjesë e një shteti, por bashkëthemelues të tij, dhe se kjo është një mundësi historike për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
Duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, Mexhiti apeloi për maturi institucionale dhe unitet politik. “Qytetarët presin punë, jo zhurmë. Ata presin zgjidhje, jo justifikime,” tha ai, duke shtuar se angazhimi i tij mbetet për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Klubin e Deputetëve morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile, të cilët kujtuan rolin kyç të Marrëveshjes së Ohrit në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në vend.
Përveç pritjes që u organizua sot, parashihet që nesër Qeveria të mbaj seancë solemne tematike. Ndërsa në mbrëmjë do të mbahet një Gala Koncert.