“Mirëmëngjesi nga Fushë Topana! Punë dhe përkushtim!” – me këto fjalë Izet Mexhiti, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, publikoi sot video pamje nga lagjja Fushë Topanë, ku tashmë kanë nisur punimet për rekonstruimin e rrugës Metodija Mitevski, ashtu siç u paralajmërua ditë më parë.
Investimet e përgjithshme në lagjen e Fushë Topanës kapin mbi 760 mijë euro dhe përfshijnë disa nga rrugët kryesore të lagjes: Ismail Qemali, Metodija Mitevski, Mehmet Gega, Nikolla Maleshevski dhe Gjorgji Pop Hristov.
Projekti parashikon:
-asfalt të ri dhe trotuare bashkëkohore,
-ndriçim tërësisht të ri,
-hapësira për parkingje dhe zona të gjelbërta,
-zhardinjerë dekorativ dhe lule për një pamje më estetike dhe të pastër të Çairit.
Njëkohësisht, ka nisur edhe rikonstruimi i rrugës “Maksut Sadik”, e cila lidh Çairin me Universitetin “Nënë Tereza”, duke u dhënë lehtësi lëvizjeje studentëve dhe qytetarëve.
“Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha këto investime janë të mundësuara me fonde qeveritare gjatë 15 muajve të qeverisjes sonë, sepse nga buxheti vetanak i komunës nuk mund të mbulohen projekte të tilla madhore”, tha Mexhiti.
Mexhiti ditë më parë potencoi se ky është vetëm fillimi i transformimit të Çairit në një komunë me infrastrukturë bashkëkohore dhe se gjatë katër viteve të ardhshme, komuna do të shndërrohet në një hapësirë moderne dhe funksionale për të gjithë banorët.
https://www.facebook.com/watch/?v=2083019398889758&rdid=tGDt8TmRcoXf1Ztm