Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, qëndroi sot për vizitë në fshatin Graçan, ku banorët organizuan një drekë tradicionale në shenjë mirënjohjeje për përfundimin e rrugës
së re që lidh vendbanimin me pjesën tjetër të komunës.
Rruga e re në Graçan, e realizuar pas shumë vitesh pritjeje, sipas Mexhitit është më shumë se një investim infrastrukture, është rikthim i
shpresës dhe dëshmi e pranisë së shtetit atje ku mungoi për dekada.
“Më shumë se asfalt, rruga në Graçan është simbol i rikthimit të shpresës dhe vulë e ndryshimit. Dikur pa rrugë e me vështirësi të
lëvizjes, tash jeta në Graçan po ringjallet. Dora e shtetit, aq shumë e munguar në këtë fshat, ka mbërritur në Graçan, duke e rregulluar rrugën,që ishte kërkesë e kahmotshme e banorëve.” deklaroi Mexhiti gjatë
takimit me banorët.
Ai shtoi se ky projekt është pjesë e një politike të re zhvillimore, që synon barazinë territoriale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Gjatë bisedës me banorët, i sigurova që Graçani nuk do të harrohet më kurrë! Sepse Graçani nuk është thjesht një emër në hartë, por një histori krenare e kujtim i gjallë i njerëzve që nuk u dorëzuan kurrë,
duke jetuar në vatrat e të parëve. E shtunja e parë e tetorit ishte preludi i një faqe të re politike, ku asnjë vend nuk do lihet pas. Sepse
jam dhe do të jem gjithmonë me ata që kanë nevojë më shumë”, potencoi Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.