Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i RMV-së, Izet Mexhiti, ka njoftuar miratimin nga Qeveria të projektit për ndërtimin e një deponie moderne sanitare në rajonin e Pollogut – një hap i madh drejt një Pollogu më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Ky projekt strategjik, me vlerë mbi 17 milionë euro dhe i mbështetur nga BERZH-i, Zvicra, Suedia dhe Bashkimi Europian, përfshin ndërtimin e një sistemi të integruar rajonal për menaxhimin e mbetjeve, i cili pritet të funksionojë për të paktën një dekadë.
“Nuk po investojmë thjesht në një deponi, por në shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e gjelbër të qytetarëve tanë,” theksoi Mexhiti në një postim në Facebook, duke e cilësuar këtë si një ditë historike për rajonin.
Projekti përfshin:
Ndërtimin e një deponie moderne sipas standardeve europiane
Mbylljen e deponisë së vjetër në Rusino
Ndërtimin e 5 stacioneve të transportit
Furnizimin me pajisje dhe automjete të reja për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave
Krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbetjeve
Ky zhvillim pritet të përmirësojë ndjeshëm gjendjen mjedisore në rajon dhe të kontribuojë në një të ardhme më të qëndrueshme për gjithë banorët e Pollogut.