Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër, Izet Mexhiti sot ishte i ftuar në emisionin “Top Tema” në TV Telma për të diskutuar rreth Qeverisë së re, planit që kanë, krimin, korrupsionin, ekonominë, kritikat që i marrin nga opozitarët ‘Fronti Europian’ e shumë tema tjera, shkruan POPULLI.mk
“BDI apo Fronti Europian duhet të jenë opozitë konstruktive, të reformohen, të kenë ide të reja. Ata duhet të pajtohen me realitetin që kanë shkuar tashmë në opozitë. Çdo reagim i tyre ditor ndaj nesh tregon vetë se ata nuk mund ta pranojnë që tashmë pas 20 viteve janë në opozitë”, tha Mexhiti në pyetjen për kritikat e opozitarëve shqiptar.
“Sa i përket reagimeve të opozitës shqiptare fillimisht ato nuk kanë qëndrime publike, me vetë faktin që njëherë kishin edhe kritika ndaj riorganizimit të Qeverisë por pastaj e votuan bashkë me ne edhe pse 2-3 ditë na kritikuan. Gjithashtu edhe tani me udhëtimin në Washington. Aty është kryeparlamentari Gashi si dhe kryeministri, të cilët kanë axhendën e tyre sa i përket 75 vjetorit të NATO-s. Për këtë them se kritikat e tyre nuk janë me vend. Do të ketë edhe delegacione tjera si në Londër e në Bruksel. Në Londër do të jem unë ndërsa në Bruksel do të jetë Orhan Murtezani e kështu me radhë.”, u shpreh Mexhiti sa i përket kritikave se shqiptarët janë lënë anash sa i përket Samitit të NATO-s në Washington D.C.
Në pyetjen se si duhet të bëhet punësimi i qytetarëve Mexhiti u shpreh kështu:
“Në të kaluarën ka pasur punësime 98% maqedonas dhe vetëm 2% të etnive tjera. Unë mendoj se punësimi duhet të bëhet me meritokraci. Unë nuk pajtohem me atë që vetëm maqedonasit kanë kualitet dhe të tjerët jo. Nëse shqiptari e meriton ai duhet të punësohet, nga ana tjetër edhe nëse një maqedon në rast se e meriton duhet të punësohet qoftë në Saraj apo në Çair ku edhe janë pakicë.”
“Nuk do të jem i ulur as në karrigen e zv/kryeministrit të parë as në atë të ministrit sepse dihet që unë më së shumti jam në terren. Jam afër qytetarëve. Kështu njihem unë. Merrem me problemet më tepër. Edhe si kryetar i komunës por edhe tani si funksionar në ekzekutiv do të jem i njëjti. Ekologjia meriton më shumë vëmendje në shoqërinë tonë sepse në qeveritë europiane ajo është prioritet. Dy funksionet si zv/kryeministër i parë dhe ministër do të kenë peshë më tepër për shkak edhe të disa vendimeve që duhen marrë, ligje të reja apo reforma”, u shpreh zv/kryeministri i parë Mexhiti.