Entuaziastë dhe euroskeptikë. Mbështetja që shtetasit e vendeve të Ballkanit Perendimor i japin anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e ndryshme, në disa vende aspiratat e anëtarësimit janë gjithnjë e më të fuqishme, ndërsa disa të tjera kjo mbështetje është në rënie. Sipas sondazheve të ndryshme të kryera nga kohët e fundit rezultatet e grupojnë Maqedoninë në vendet euroskeptike sa i takon rëndësisë që ka për vendin anëtarësimi në BE. Për shembull, Eurometër, i realizuar nga Eurothink tregon një rënie të ndjeshme, ku më pak se gjysma mendojnë se në përgjithësi anëtarësimi i vendit në BE do të ishte një gjë e mirë, ndërsa 34 për qind nuk mendojnë kështu. Kjo është një rënie prej 20 për qind në mbështetjen e anëtarësimit në krahasim me sondazhin e mëparshëm. Po ashtu, 65 për qind e qytetarëve mendojnë se qëndrimi i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është shantazhues dhe i padrejtë, ndërsa vetëm 17 për qind mendojnë se ka një qëndrim të drejtë. Nëse i referohesh një ankete të Konrad Adenauer, ku specifikohen të anketuarit edhe sipas kombësisë, të anketuarit shqiptarë mendojnë ndryshe, duke dhënë një mbështetje prej 90 për qind anëtarësimit të vendit.
“Ashtu si në rastin e mbështetjes për anëtarësimin në NATO, edhe kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, ka dallime të dukshme në përgjigjet sipas përkatësisë etnike të të anketuarve. Gjegjësisht, nëse 92.8 për qind e të anketuarve shqiptarë e mbështesin këtë synim strategjik të shtetit, të njëjtin mendim e kanë 53.2 për qind e të anketuarve maqedonas, që përbën një dallim prej 39.6 për qind”, thuhet në analizë.
Rezultatet nga të anketuarit shqiptarë në Maqedoni, përkojnë edhe me ato të shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, dy vende këto të BP ku perspektivat i shohin në anëtarësimin e vendit. Në sondazhet e fundit të Eurobarometrit të publikuara në fund të vitit të kaluar për Shqipërinë rreth 96 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa 0,5 nuk e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbi 95 për qind prej tyre mendojnë se anëtarësimi është shumë i rëndësishëm dhe 0,4 për qind jo i rëndësishëm. Ngjashëm si Shqipëria anëtarësimi në BE ka marrë mbështetjen të lartë edhe nga qytetarët e Kosovës, ku përkrahet nga 92 për qind e të anketuarve. Po ashtu 75 për qind e të anketuarve besojnë se BE-ja është në disponim pozitiv për pranimin e Kosovës në BE, por 41 për qind besojnë se anëtarësimi nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Rritja e pesimizmit shkaktuar nga pritja e gjatë është reflektuar në sondazhet e vitit të kaluar, ku për herë të parë për tetë edicione të barometrit të Ballkanit, shënohet trend negativ i mbështetjes së integrimit në BE. Vetëm 60 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor konsiderojnë se anëtarësimi në BE është gjë e mirë, përderisa vitin e kaluar ky numër ishte 62 për qind.
Në atë kuptim shihet edhe rritja e pesimizmit të qytetarëve të cilët nuk besojnë se vendi i tyre ndonjëherë do të bëhet anëtar i BE-së. Sipas barometrit të Ballkanit, vitin e kaluar rreth 22 për qind e të anketuarve nuk kanë besuar në këtë, ndërsa këtë vit rreth 28 për qind janë deklaruar negativisht. Sa i takon vendeve të tjera mbështetja është e vogël. Për shembull në Serbi, duke i referuar anketës së Ministrisë së Integrimeve Evropiane, anëtarësimi i vendit në BE nuk do të merrte mbështetjen e më shumë se gjysmës së qytetarëve të këtij vendi në referendum.
Përkatësisht vetëm 43 për qind do të votonin për anëtarësimin e Serbisë në BE, 32 për qind do të votonin kundër, 13 për qind nuk do të votonin fare dhe 12 për qind nuk e dinë se si do të votonin. Ndërsa shumica e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, mbështetja për BE-në është në rënie. Sipas rezultateve të anketave mbi 77 për qind e të anketuarve do të votonin për hyrjen në BE, 16 për qind kundërshtuan anëtarësimin në BE, që është katër për qind më shumë se një sondazh i ngjashëm i vitit 2021. Mbështetja në federatën e BeH është 90 për qind, por në Republikën Sërpska 54.5 për qind. Në Mal të Zi, më shumë se dy të tretat e qytetarëve kanë një opinion pozitiv për Bashkimin Evropian, mbi 70 për qind mbështesin BE-në dhe mbi 50 për qind e qytetarëve mbështesin fuqimisht hyrjen e vendit në BE. Sondazhi i fundit i CEDEM tregon se 75 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në BE, ndërsa 13 për qind jo. Sa i takon një tjetër sondazhi në rast të mbajtjes se një referendumi për hyrjen e Malit të Zi në BE, 83.5 për qind e tyre do të votonin “PËR”, ndërsa 14,7 për qind do të ishin kundër. (koha.mk)