Qeveria i ka dhënë dritë jeshile Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit, i propozuar nga Ministria e Financave. Siç njoftojnë nga Qeveria propozim ligji i ri ka për qëllim që të mbrojë popullatën e re. Për këtë arsye Ligji parashikon që:
Propozim Ligji për lojërat e fatit
- Hapësirat e kompanive të lojërave të fatit të ndodhen së paku 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme,
- Përforcim i dëshmive të duhura për dhënien e licencës,
- Saktësimi i asaj që një shoqëri tregtare me një licencë zhvillon një lloj të lojërave të fatit, si dhe
- Rritja e të dhënave për dhënien e licencave për lojëra të fatit.
Por nga Qeveria dhe Ministria e Financave nuk japin më tepër detaje rreth përmbajtjes dhe ndryshimeve të tjera. Thonë se propozim ligji do të jetë publik pasi të dorëzohet në Kuvend. Këtë hap të Qeverisë lëvizja Antibixhoz e cilëson si pozitiv dhe një hap drejt largimit të kazinove dhe lojërave tjera të fatit nga objektet arsimore.
“ Erdhi koha që të fillohet nga diku për këtë gjendje kaotike që mbizotëron në Maqedoninë e Veriut edhe si fillim jemi të kënaqur dhe presim që këtë ligj ta fusin urgjentisht në funksion dhe të veprojë shteti për parandalim të lojërave të fatit edhe pse kërkesat tona kanë qenë fillimisht tre kilometra jashtë vendbanimeve edhe objekteve shkollore. Por edhe ky ligj tash për momentin është i pranueshëm për ne. Këtë betejë e kemi filluar shtatë vite edhe më në fund kurorëzohet me një ligj edhe pse i cunguar 500 metra vijë ajrore, por mendojmë se do të pastrohet e gjithë Maqedonia jo vetëm Tetova , por gjithë qytetet, nga kjo katrahurë që e ka përfshirë këtë vend”, deklaroi Jushi Emurllahu – Lëvizja anti Bixhoz.
Vendimi i Qeverisë nuk është mirëpritur nga Asociacioni i punonjësve të lojërave të fatit. Përmes një komunikate janë ankuar se me këtë vendim të Qeverisë, numër i konsiderueshëm i punëtorëve në kompanitë e lojërave të fatit, do të mbeten pa punë.
“Me vendimin e djeshëm, qeveria filloi procesin e mbylljes së lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut! Qeveria do të përpiqet që propozim-amendamentet e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese t’i fusë në Kuvend me procedurë të shpejtë me flamur evropian. Që do të thotë me një procedurë të shkurtuar, do të anulojë punën e 10.000 personave dhe do të varfërojë buxhetin e shtetit me 280 milionë euro në vit. E gjithë kjo në kushtet e një krize ekonomike të paprecedentë, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore”, thonë nga Asociacioni i punonjësve të lojërave të fatit.
Për më shumë se 6 vite, Lëvizja Anti Bixhos kërkon largimin e lojërave të fatit prej brenda qyteteve.