Se në Maqedoninë e Veriut nuk ka zhvillim të barabartë, që është një politikë e trashëguar nga e kaluara, tregojnë edhe Fondet IPA, të cilat në masë të madhe shpërndahen në rajonet me shumicë maqedonase, ndërkaq në rajonet me shumicë shqiptare ato janë vetëm simbolike. Koordinimi i shpërndarjes së këtyre mjeteve evropiane për projekte në dobi të komunitetit bëhet nga ana e Qeverisë, në të cilën participojnë edhe subjektet politike shqiptare.
Që nga vitit 2007 e deri më tani përmes Fondeve IPA në Maqedoninë e Veriut janë investuar mbi 812 milionë euro, që shpërndahen në 8 rajone. Pikërisht kjo ndarje e çuditshme në rajone, tregon qartë se ku në fakt përfundojnë këto mjete. Na rajonin e Pollogut (me shumicë shqiptare) nga këto 812 milionë euro deri më tani janë investuar vetëm 29 milionë euro, kurse në rajonin e Vardarit (me shumicë maqedonase) janë investuar mbi 122 milionë euro.
Pra, kjo tregon se bëhet fjalë për një dallim shumë të madh. Veç kësaj, në rajonin e Pellagonisë janë investuar mbi 79 milionë euro, në rajonin lindor të Maqedonisë së Veriut mbi 37 milionë, në atë jug-lindor mbi 42 milionë euro, në atë veri-lindor mbi 34 milionë euro, në jug-perëndim mbi 31 milionë euro dhe në rajonin e Shkupit afër 45 milionë euro. Këto janë fakte, për të cilat ministrat shqiptarë duhet të tregojnë qartë se pse është kjo ndarje e këtillë e mjeteve dhe kush duhet të bart përgjegjësi për një dallim kaq të madh kur bëhet fjalë në raportin shqiptarë – maqedonas.
Këtë gjendje të pabarazisë së thellë e faktojnë edhe të dhëna tjera. Kështu, për kokë banori sipas rajoneve, Fondet IPA (2007 – 2023) tregojnë këtë pasqyrë: në rajonin e Pollogut – 82 euro për kokë banori, na rajonin e Pellagonisë 356 euro, në atë të Vardarit 845 euro, në rajonin jug-lindore – 262 euro, në rajonin lindor – 229 euro, në rajonin verilindor – 193 euro, në rajonin e Shkupit 69 euro dhe në atë jug-perëndimor 137 euro.
Departamenti i çështjeve ekonomike pranë Lëvizjes Demokratike, shpreh indinjatën e thellë të heshtjes përpara këtyre fakteve të përfaqësuesve shqiptarë në institucionet shtetërore, të cilët vazhdojnë të bëjnë marketing politik, duke gënjyer për kinse të “arriturat” e shumta që i “gëzojnë” shqiptarët. Në veçanti, Artan Grubi, së zëvendëskryeministër, duhet të japë një sqarim se pse në rajonin e Pollogut për kokë banori Fondet IPA janë 82 euro e në rajonin e Vardarit 845 euro?
Lëvizja Demokratike përpara kësaj gjendje nuk do të rrijë duarkryq, por do t’i njoftojë institucionet evropiane për shpërndarjen e këtillë abuzive të mjeteve nga Fondet IPA si dhe do të insistojë të kërkohet një pasqyrë konkrete për realizimin e të mirave në dobi të komunitetit, thjeshtë për ta pasur parasysh nivelin e arsyeshmërisë së këtyre investimeve.