Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se propozimi francezo-gjerman është një bazë e mirë për bisedime, por rithekson se është kundër formimit Asociacionit të Komunave Serbe, sepse e sheh atë si aparteid, transmeton Deutsche Welle, përcjellë GazetaBlic.Kurti tha se propozimi i fundit për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, është një platformë solide për një hap përpara. Ai ka shtuar se për momentin nuk ka plane për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ka shprehur shpresën se negociatat e nivelit të lartë do të vazhdojnë.
“Propozimi i BE-së, i cili është pranuar në parim, duhet të përpunohet më tej, sepse shumë koncepte në propozim janë gjenerike, dhe duhet të diskutojmë më tej mekanizmin e zbatimit, sekuencën kohore të zbatimit dhe veçanërisht garancitë ndërkombëtare për marrëveshjen e ardhshme”, tha ai.
Kurti megjithatë, përsëriti se normalizimi i plotë i marrëdhënieve duhet të ketë njohjen reciproke si pjesë qendrore.Ai thotë se pjesa e marrëveshjes së Brukselit që parasheh formimin e Asociacionin e Komunave Serbe përmban elemente raciste dhe rithekson se tashmë si e tillë është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Është aparteid. Unë jam kundër. Kur e shpallëm pavarësinë 15 vjet më parë, ishin 93 për qind shqiptarë dhe në bashkësinë ndërkombëtare na thanë se Kosova nuk mund të shpallet shtet i pavarur shqiptar, por multietnik. Këmbëngulja tani për një asociacion etnik të komunave është e çuditshme dhe e papranueshme”, shton Kurti.Ai i bëri thirrje Serbisë që të jetë e para që do të formojë “asociacion në Luginën e Preshevës apo Sanxhak dhe të tregojë me shembull se si duhet të funksionojë ai model”.
“Por unë mendoj se nuk është një ide për njerëzit, për rritjen e të drejtave të qytetarëve, por për zgjerimin territorial. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë, Serbia jep qindra milionë euro për të penguar integrimin e serbëve. Prandaj, koncepti i botës serbe si emër i ri për Serbinë e Madhe jeton në instrumentalizimin e serbëve kudo që janë”, thotë Kurti.Kurti i pyetur se si planifikon t’i kthejë serbët në institucionet e Kosovës, Kurti tha se ata kryetarë komunash që kanë dhënë dorëheqje nuk mund të kthehen, por duhet të organizohen zgjedhje të reja.
“Në anën tjetër, ne jemi shumë të interesuar që sa më shumë serb të aplikojnë për t’u bërë policë në Kosovë. Deri më tani nuk janë regjistruar mjaftueshëm, por numri është në rritje, ndaj jemi me shpresë. Nuk dua të zëvendësoj serbët me shqiptarë në veri, por nuk do të ndalemi së zbatuari sundimin e ligjit në të gjithë territorin”, tha Kurti.
Ai edhe një herë u ka bërë thirrje serbëve që t’i besojnë Qeverisë së Kosovës dhe të aplikojnë për punë, duke premtuar se për këtë “nuk do t’u duhen karta e anëtarësimit në Listën Serbe”, siç thotë që ka qenë më parë.
Duke folur për 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kurti vlerësoi se Kosova është një histori e dyfishtë suksesi – për “luftën për çlirimin e një kombi” dhe ndërtimin e demokracisë të shoqëruar me zhvillim ekonomik.Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, megjithatë, nuk janë normale, thotë Kurti, por beson se kjo është pasojë e faktit se Serbia nuk është një vend normal.
“Kosova është një vend normal demokratik. Serbia nuk është. Edhe sipas Freedom House, Kosova ka një regjim demokratik, dhe Serbia është një regjim hibrid, që është një eufemizëm për autokraci,” thotë ai.
Ai ka përsëritur akuzat ndaj Beogradit zyrtar se i ka udhëzuar serbët të largohen nga institucionet dhe “kriminelët në veri” të fshihen pas popullit dhe identitetit kombëtar.“Për shkak të frikës nga sundimi i ligjit, ata ngritën barrikada dhe gjithashtu për shkak të frikës nga shteti i së drejtës, ata vendosën pak para Vitit të Ri t’i heqin ato. Policia jonë nuk ndjek askënd në bazë të përkatësisë etnike apo kombëtare, por vetëm në bazë të veprimeve dhe sjelljeve të tyre, qoftë individ apo grup”, shton ai.
Kurti beson se nëse marrëveshjet dështojnë, nuk është e pamundur të ndodhë një luftë e re.“Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme”. Por ne po forcojmë edhe kapacitetet tona të sigurisë dhe mbrojtjes”, tha kryeministri i Kosovës.
Ai kujtoi lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, veçanërisht në fushën ushtarake dhe tha se pas pushtimit rus të Ukrainës, ata janë gjithashtu në roje. Sidomos pasi Serbia ka vendosur tashmë 48 baza operative sulmuese në vijën administrative me Kosovën.“Ka 28 baza ushtarake, 20 baza xhandarmërie, me 50 deri në 150 burra të armatosur në secilën prej këtyre bazave operative sulmuese, ku janë parë shumë mercenarë të grupit Wagner dhe Ujqërve të Natës duke qarkulluar dhe organizuar. Disa prej tyre erdhën edhe në barrikadat në veri me slogane të mbizotëruara nga mesazhi ‘lutu Zotit dhe qëndro pranë Rusisë’. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. “Nuk e përjashtojmë mundësinë e sulmeve agresive nga Serbia”, pohoi kryeministri i Kosovës, përcjellë GazetaBlic.