Pas një periudhe të shkurtër qetësie pas daljes nga “Big Brother VIP 4”, Valbona Mhilli është rikthyer në vëmendje me një intervistë për “Pushime On Top” me Lei Krajën, ku foli për jetën e saj aktuale dhe planet në televizion. Edhe pse është qëndruar larg ekranit, duket se rikthimi i saj është më pranë se kurrë.
Në intervistë, Valbona u pyet për periudhën pas daljes nga BBV dhe ndryshimet që kanë ndodhur. Ajo shpjegoi se po jeton sërish jetën e saj të zakonshme:
“Jam kthyer ajo Bona që ka qenë jashtë, vazhdon të jetë sërish jashtë, po ajo vajza e thjeshtë, po ajo vajza që punon, po ajo vajza që ngrihet herët dhe ka shumë punë për të bërë gjatë ditës, e mbushur me angazhime.”
E pyetur për rutinën e përditshme, ajo tha:
“Tani e kam stabilizuar gjumin, ngrihem në orën 9 të mëngjesit, jam për të vazhduar ditën.”
Sa i përket planeve për rikthimin në ekran, Valbona ngacmoi ndjekësit me lajme të mira:
“Ka një moment pauze, po shtatori do ketë surpriza, do jemi me projekte të reja.”
Nostalgjia për moderimin duket e thellë:
“Më ka marrë shumë malli për të moderuar, për të drejtuar, për të parë atë llambën e kuqe kur ndizet dhe ti nis programin tënd. Më ka marrë për të intervistuar, më ka marrë malli për atë rutinën e ditës që lidhem me personazhet për t’i ftuar në studio, për temën që do të trajtojmë.”
Ajo shtoi se kjo pauzë pas 9-10 vitesh në drejtim ishte e nevojshme, por e vështirë.
Valbona u shpreh se gjatë karrierës së saj ka synuar të jetë vetë një model për të tjerët, por sot ka një figurë që admiron shumë:
“Nëse do përmendja sot një model që më pëlqen shumë në të gjitha aspektet e saj, një program që e ndjek dhe e përcjell me shumë dashuri, është Grida Duma. I ka të gjitha.”
Fansat tashmë kanë një arsye më shumë për të pritur vjeshtën – me sa duket, rikthimi i Valbona Mhillit në ekran është vetëm çështje kohe.