Kremlini: Putin ia miratoi Assadit azilin pas rënies së Damaskut

Kremlini ka thënë se vetë presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka miratuar azilin politik presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad.

Regjimi i tij është rrëzuar në fundjavë, pas një ofensive të shpejtë të rebelëve të udhëhequr nga islamistët.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë një takim urgjent për situatën në Siri, pas rrëzimit të Assadit, i cili ka ikur në Rusi me familjen e tij, pas arritjes së rebelëve në Damask.

Përfaqësuesit rusë kanë thënë se takimi urgjent do të mbahet me dyer të mbyllura.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve në Moskë, më 9 dhjetor, se teksa Putin e ka marrë vendimin personalisht për t’ia miratuar azilin Assadit dhe familjes së tij, nuk ekziston obligim për të dhënë më shumë hollësi.

“Vendime të tilla nuk mund të merren pa krerë shtetesh. Ka qenë vendimi i tij [Putinit]”, ka thënë Peskov.

“Nuk kam asgjë për t’ju thënë për vendndodhjen e Assadit”, ka thënë Peskov.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS, e ka cituar një zyrtar të Ambasadës së Sirisë në Moskë, të ketë thënë se Assadi është në kryeqytetin rus. Këto raportime nuk janë konfirmuar.

Rusia, aleate për kohë të gjatë e Assadit, ka thënë se ai “ka vendosur të dorëhiqet”, pas “negociatave” me një “numër pjesëmarrësish në konfliktin e armatosur” dhe e ka lënë zyrën, duke dhënë udhëzime “për transferim paqësor të pushtetit”.

“Rusia nuk ka marrë pjesë në këto negociata”, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.

Në Damask dhe qytete tjera siriane, njerëzit kanë dalë në rrugë për të festuar rrëzimin e regjimit të Assadit, kanë rrëzuar statuja dhe kanë plaçkitur ndërtesa qeveritare, përfshirë rezidencën e Assadit.

Kryeministri i Sirisë, Mohammad Ghazi al-Jalali, ka thënë përmes një video-incizimi se Qeveria e tij është e gatshme “të bashkëpunojë me çdo udhëheqësi të zgjedhur nga njerëzit”.

Ai është parë duke u larguar nga shtëpia e tij më 8 dhjetor, në shoqëri të burrave të armatosur, pas raportimeve se do të takojë udhëheqësinë e grupit rebel sunit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e cila e ka udhëhequr ofensivën kundër regjimit të Assadit.

HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vjetët e fundit, ky grup militant islamist, i ka prishur lidhjet me Al-Kaidën, dhe ka tentuar të prezantohet si alternativë pragmatike ndaj Qeverisë siriane.

Megjithatë, ka shqetësime për abuzime që ka kryer grupi, si dhe për lidhjet me grupe tjera terroriste./rel

Next Post