Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar të shtunën listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët e 38 komunave do ta kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues prej jashtë shtetit.
Votuesit jashtë shtetit do të mund të votojnë me postë prej 17 shtatorit.
Zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.
Përfaqësuesja e Listës Serbe, Gordana Llaban, ka votuar kundër certifikimit të listës, për shkak të atyre që i ka konsideruar ndryshime në listat votuese, mirëpo zyrtarë tjerë i kanë thënë se bazuar në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, një qytetari i përcaktohet vendvotimi në bazë të vendit ku ka prona dhe merr shërbime, me qëllim që të ketë saktësi në listën votuese.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje të gjithë votuesve brenda Kosovës që të kontrollojnë vendvotimin e tyre në platformën e këtij institucioni, që ta dinë paraprakisht qendrën e tyre, për shkak të ndryshimeve që janë bërë së fundmi.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.
Më herët gjatë ditës, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka nisur një kërkesë ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026, për shkak të pengesave që mund të shkaktohen nga fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ligji në Kosovë përcakton që komunat duhet ta miratojnë buxhetin deri më 30 shtator për vitin e ardhshëm fiskal, dhe atë më pas ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.
Nëse nuk e respektojnë këtë afat, komunat e humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, andaj Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.
Për këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.
Partia Demokratike e Kosovës pati fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.